Maurizio Sarri iu gëzua fitores në derbi kundër Torinos, por nuk ngurron të pranojë që ekipi i tij kishte probleme pas pësimit të golit. Në deklaratën e dhënë për Sky Sport Italia ai foli edhe për golin e Cristiano Ronaldos, paraqitjet e Paolo Dybala dhe befasinë Cuadrado.
“E dinim që nuk do të ishte e lehtë. Shënuam të parët dhe dyfishuam shumë shpejt. Kjo ndoshta na relaksoi dhe goli i Torinos bëri që ta humbnim kontrollin e ndeshjes. Ishim pak kaotikë në fillimin e pjesës së dytë. Kur lodhja nisi të ndjehej nga futbollistët, atëherë shfaqëm cilësitë tona”, tha fillimisht Sarri.
Ronaldo shënoi golin e parë me goditje dënimi me fanellën e Juventusit, pas 48 tentativave. Trajneri i bardhezinjve flet edhe për çlirimin e portugezit dhe më pas zbulon këshillën që i ka dhënë argjentinasit Dybala.
https://twitter.com/ogielord/status/1279687135327424520?s=20
“Sinqerisht nuk mendoja se kjo po e shqetësonte atë, por në fund të ndeshjes tha: ‘Më në fund’. Sa i takon Dybala, kam një raport shumë të mirë me të. Jemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe kurrë nuk kam pasur dyshime te cilësitë e tij.
Vjet ishte pa fat. I kam thënë që vetëm duhet të stërvitet dhe të luajë. Gjithashtu ai më tha mendimet e tij. Mendoj se e kam bindur atë që të luajë sa më afër Ronaldos dhe të mos kthehet shumë për të marrë topin”, shtoi tekniku i bardhezinjve.
Në fund, elozhe edhe për “xholin” kolumbian: “Jam i surprizuar nga Cuadrado, jo për cilësitë që ia njohim të gjithë. Më habit fakti që punon shumë kur e aktivizon në mbrojtje. Ka një nivel përqendrimi në stërvitje, që është sinqerisht i jashtëzakonshëm. Ai bëhet një mbrojtës i mirë dhe teknikën e tij e përdor në sulm”. /abcnews.al