Antoine Griezmann ishte një “mbret” tek Atletico Madrid, por kampioni i botës ngulmoi të kalonte te Barcelona. Ashtu ndodhi, katalanasit paguan 120 milion euro verën e kaluar dhe siguruan shërbimet e sulmuesit, i cili realizoi 133 gola në pesë sezonet që luajti në Madrid.
Në “Camp Nou” duket një lojtar tjetër, edhe pse ia ka dalë të shkojë 14 herë te goli. Në shumë ndeshje është aktivizuar në krah, raporti me Leo Messin nuk u bë kurrë i mirë, teksa ditët e fundit ka ndodhur edhe përplasja me trajnerin Setien.
Barcelona nuk është e kënaqur nga rendimenti i tij dhe po mendon ta shesë. Gjithmonë nëse vjen një ofertë e mirë ekonomike. Manchester United dhe Manchester City e duan në Premier League, por garës i janë bashkuar edhe dy ekipe të tjera.
Express.co.uk raporton se 29-vjeçarin e pëlqejnë shumë edhe Interi me Arsenalin. Zikaltrit e shohin si zëvendësuesin e Lautaro Martinez. Argjentinasi është drejt kalimit te katalanasit dhe Griezmann mund të përfshihet në këtë operacion.
E njëjta gjë me “Topçinjtë”, të cilët janë gati të përfshijnë në operacion Aubameyang dhe Guendouzi. Kampionët e Spanjës nuk duan të nxitohen, rëndësi ka edhe dëshira e madhe e lojtarit, të cilit nuk i ka shkuar mirë transferimi te Barcelona, të paktën deri në këto momente. /abcnews.al

