Antonio Conte mendon se ka njerëz dashakeqë kundër Interit, që mundohen të krijojnë probleme. Trajneri zikaltër është i kënaqur me skuadrën e tij, por të tjerë mundohen të shohin vetëm gjërat negative. Conte i del për zot skuadrës dhe nëse ndokush dëshiron të bëjë kritika, atëherë le t’ia adresojë atij.
“Shënuam 6 gola dhe nuk pësuam asnjë dhe normalisht jemi të kënaqur. Disa duan ta shohin gotën gjysmë të zbrazur dhe jo gjysmë të mbushur. Ata duan të krijojnë probleme, por mua nuk më intereson kjo. Nëse doni të sulmoni dikë, më sulmoni mua e jo klubin e futbollistët”, tha Conte, pas fitores 6-0 që Interi mori kundër skuadrës së Brescia.
Italiani më pas shtoi: “Jemi duke punuar shumë, e kemi shfrytëzuar maksimalisht periudhën e izolimit për të provuar diçka ndryshe në aspektin taktik. Mund ta them që ekipi më ka pëlqyer kohët e fundit, pasi kam parë që idetë tona dhe ato që praktikojmë po realizohen.
Në fund pastaj jo gjithmonë rezultati përputhet me lojën që bën. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që gjithçka është e zezë. Kjo është një skuadër që nuk mund të qortohet për sakrificën, vendosjen e zemrës në fushë.
Gjithsesi duhet më shumë përqendrim, që të bëhen sa më pak gabime dhe të tregohemi sa më pak naivë në momente të caktuara. Momente të tilla mund të na heqin pikë dhe nga ana tjetër mund të na shkatërrojnë psikologjikisht. Mbi të gjitha kjo është një skuadër e re, që duhet rritur në aspektet e mësipërme”. /abcnews.al