Rusia propozon rezolutë në OKB për sulmin me armë kimike në Siri

schedule14:30 - 10 Prill, 2018

schedule 14:30 - 10 Prill, 2018

Rusia kërkon hetim të paanshëm për sulmin e dyshuar me armë kimike në një qytet të Gutës Lindore në Siri. Ndërsa Presidenti i Turqisë, Erdogan nënvizon se autorët e këtij sulmi do të paguajnë për atë çfarë kanë bërë.

Rusia do të propozojë një rezolutë në Kombet e Bashkuara për të hetuar lidhur me sulmin e dyshuar me armë kimike në Siri. Kjo është bërë e ditur nga ministri i jashtëm i Moskës, Sergej Lavrov. “Ne do të paraqesim një projekt-rezolutë që do të kërkojë një hetim”, tha kreu i diplomacisë ruse, duke shtuar se “në këto hetime do të marrin pjesë dhe ekspertë të pavarur të Organizatës Ndërkombëtare për Armët Kimike OPCW”.

Përveç kësaj, Kremlini akuzoi Uashingtonin se refuzon të pranojë realitetin se nuk ka prova që sulmi në fjalë ka ndodhur në qytetin Douma të kontrolluar nga rebelët në Gutën Lindore. “Ju po i shikoni qëndrimet jokonstruktive që kanë marrë disa vende përfshirë SHBA-të”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Ai shtoi se askush prej tyre nuk flet për nevojën e një hetimi të paanshëm dhe nënvizoi se Rusia do të vazhdojë me punën e saj active në frontin diplomatic sa i përket çështjes së Sirisë.

Vlen të theksohet se Moska mbështet ushtrinë e presidentit Bashar al-Assad, i cili për vendet perëndimore duhet të rrëzohet sa më parë nga pushteti. Lideri sirian akuzohet dhe për sulme të ndryshme me armë kimike dhe për këtë të fundit ku humbën jetën rreth 100 persona.

Për këtë çështje reagoi edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoğan. Ai tha se përgjegjësit e sulmit të fundit kimik në Duma do të japin llogari dhe do të paguajnë një çmim shumë të lartë. “E dënoj këtë masakër në Gutën Lindore dhe Duma”, tha Erdoğan në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij AK Parti në Ankara.

Këto zhvillime vijnë pas mbledhjes së Këshillit të sigurisë në OKB, ku ambasadorja amerikan u përplas me të dërguarin e Rusisë. Nikki Haley madje tha se “duart e Rusisë janë të mbuluara nga gjaku i fëmijëve sirianë”. Ndërsa ministria e mbrojtjes e Moskës thotë se pamjet filmike të sulmit me armë kimike në Siri janë false. Gjithashtu nënvizon se ekspertët rusë vizituan spitalet në Duma dhe nuk gjetën asnjë shenjë për sulmin kimik të dyshuar. /abcnews.al