Ka marrë fund pa asnjë gol të shënuar aventura e Emmanuel Adebayor në Paraguaj. Sulmuesi nga Togo, u transferua te Olimpia Asunscion gjatë muajit shkurt dhe tifozët e zjarrtë të ekipit të njohur latin, i dhuruan një pritje spektakolare “veteranit”.
36-vjeçari ka luajtur vetëm katër ndeshje (dy në kampionat dhe dy në Libertadores). Olimpia ka zyrtarizuar ndarjen me afrikanin (ndodhet në vendlindje) me anë të një postimi në rrjetet sociale. “Situata e krijuar nga koronavirusi paraqet rrezik për shëndetin e lojtarit dhe për kthimin e tij në vendin tonë.
Ai do të duhet të udhëtojë me aeroplanë të shumtë dhe më pas do të duhet të ndjekë karantinën. Kostot e larta logjistike dhe situata ekonomike në të cilën ndodhet vendi, na detyrojnë të marrim vendimin më të mirë për të garantuar stabilitetin ekonomik“, shkruan Olimpia. /abcnews.al