Ministria e Shëndetësisë nuk ka raportuar asnjë rast të ri pozitiv për Covid-19 në qytetin e Durrësit.
Gjatë raportimit të sotëm nga ana e ministrisë u raportuan raste pozitive vetëm në qytetet Tiranë, Shkodër, Elbasan, Delvinë, Krujë, Kukës, Lezhë, Sarandë.
Por qyteti i Durrësit ka 201 raste aktive me koronavirus.
LEXO edhe: Koronavirusi mbyll DSHP-në e Durresit, s’ka kush të dalë në punë
Në fakt ditën e djeshme u mësua se Drejtoria e Shëndetit Publik në këtë qytet ka pezulluar punën, pasi ka patur staf të personelit të saj, që janë infektuar nga Covid-19.
Pas konfirmimit të rasteve pozitive në këtë institucion, personeli i kësaj Drejtorie është karantinuar.
Deri ditën e djeshme kjo drejtori ka qenë në pritje të një vendimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, se si do të procedohet në vazhdim në këtë qytet, për gjurmimin dhe hetimin e rasteve të dyshuara me koronavirus.
LEXO edhe: Koronavirusi mbyllin DSHP-në e Durrësit, Zija Alhysa: Situata është kaotike
Me sa duket Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka vendosur se si do të gjurmohen dhe hetohen rastet në këtë qytet, i cili renditet pas Tiranës si vatër e rrezikshme infeksioni.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 45 raste të reja dhe 2 humbje jete në 24 orët e fundit
57 të shëruar në 24 orët e fundit. Vijon të ketë shtrime të reja me simptoma të rënduara si pasojë e Covid19
Dr. Marjeta Dervishi
Instituti i Shëndetit Publik
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike të 24 orëve të fundit në vendin tonë.
Vijon të ketë shtrime të reja në spital me simptoma të rënduara si pasojë e Covid19, dhe raste të reja pozitive të identifikuara nga epidemiologët në terren.
Fatkeqësisht, një 74 vjeçare nga Shkodra dhe një 82 vjeçare nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në spitalin infektiv si pasojë e insufuciencës respiratore progresive, pavaresisht trajtimit në terapi intensive dhe përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave.
Aktualisht në spitalin infektiv po trajtohen 71 pacientë, 10 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 269 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 45 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 21 raste në Tiranë, 10 në Shkodër, 4 në Elbasan, nga 3 raste Delvinë, Kurbin, nga 1 rast në Krujë, Kukës, Lezhë, Sarandë.
Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 57 qytetarë, duke e çuar në 1516 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 999 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Numri i rasteve të rritura në 2 javët e fundit e ka vendosur sistemin shëndetësor në gadishmëri të shtuar, por në të njejtën kohë është edhe një apel për të gjithë qytetarët për të qenë bashkëpunëtorë në këtë betejë.
Ju lutemi, respektuar rregullat, duke ruajtur distancën nga njëri tjetri, duke mbajtur maskat në ambientet e mbyllura ku nuk është e mundur të ruhet distanca, duke ruajtur higjienën personale, duke ruajtur veten dhe të tjetër në mënyrë që të kufizojmë sa më shumë që të jetë e mundur përhapjen e Covid19.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh.
Mos neglizhoni asnjë shenjë të sëmundjes. Në rast se ju apo një i afërm i juaji keni shenja klinike të Covid19, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.
COVID-19 – Statistika (1 Korrik 2020)
Testime totale 27303
Raste pozitive 2580
Raste të shëruara 1516
Raste Aktive 999
Humbje jete 65 (Qarku Tiranë 36, Durrës 11, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 9, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 367
Durrës 201
Shkodër 150
Vlorë 110
Fier 47
Lezhë 42
Korçë 28
Kukës 19
Elbasan 16
Gjirokastër 7
Berat 6
Dibër 6./abcnews.al