Mbyllen negociatat, Gjiknuri i përcjell Kuvendit draftin final për Reformën Zgjedhore

schedule10:26 - 1 Korrik, 2020

schedule 10:26 - 1 Korrik, 2020

Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri i ka përcjellë Kuvendit draftin final për këtë reformë. Negociatat politike janë mbyllur mbrëmë me disa ndryshime në amendamente.

Siç kishin rënë dakord në marrëveshjen e 5 qershorit, palët, mazhoranca dhe opozita e bashkuar, arritën që ta përmbyllnin punën mbi draftin, dakordësia për të cilin u gjet me ndërmjetësimin e ambasadorëve.

Puna për dokumentin final të Kodit të ri Zgjedhor kishte përfunduar prej disa ditësh, por deri dje kishin mbetur për t’u finalizuar edhe disa detaje të imta teknike.

Amendamenet janë ndryshuar në lidhje me vendimmarrjen e KQZ-së dhe listën e deputetëve.

Po ashtu është përcaktuar mënyra sesi do të mundësohet vota e emigrantëve.

“Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit, përfshin vetëm zgjedhësit me vendbanim jashtë vendit, të cilët deklarojnë vullnetin për të ushtruar të drejtën e votimit, sipas rregullave të dala në zbatim të nenit 24 të këtij ligji.”

Ndërsa, kuota gjinore ka mbetur 1 në 3 me refuzim liste.

“Për çdo zonë zgjedhore, në zgjedhjet për Kuvendin, jo më pak se një në çdo tri emra të listës shumëmërore duhet t’i përkasë gjinisë së nënpërfaqësuar, kurse në zgjedhjet për këshillat bashkiakë, një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje duhet t’i përkasë së njëjtës gjini.”

“Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar. Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë
duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emra e gjinise perkatese kane shteruar.  KQZ-ja merr vendim për plotësimin e vakancës.”

Do të duhen 84 vota për t’i futur në fuqi ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor, për të cilat opozita parlamentare deri më tani nuk ka rënë dakord. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!