Koreja e Veriut është e gatshme të diskutojë për çarmatosjen bërthamore të saj në takimin mes liderit Kim Jong-un dhe presidentit amerikan Donald Trump. Kjo është konfirmuar nga disa zyrtarë të administratës amerikane.
Koreja e Veriut i ka premtuar Shteteve të Bashkuara se është e gatshme të diskutojë të ardhmen e arsenalit të saj në takimin mes presidentit Donald Trump dhe liderit Kim Jong-un. Kjo është bërë e ditur nga disa zyrtarë të Uashingtonit duke folur për mediat ndërkombëtare. Përgatitje për samitin mes dy palëve ka përfshirë bisedime direkte dhe sekrete me Korenë e Veriut, njoftoi një burim nga administrata Trump, i cili foli në kushtet e anonimitetit.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe të regjimit komunist kanë biseduar shumë herë dhe janë takuar në një vend të tretë. Takimi I paprecedentë thuhet se do të zhvillohet në muajin maj. Do të jetë hera e parë që një presidenti amerikan në detyrë do të takohet me një lider të Koresë së Veriut. Pheniani i ka thënë tashmë Koresë së Jugut se është e përgatitur që të diskutojë çështjen e çarmatosjes bërthamore, por kjo është hera e parë që Uashingtoni ka marrë garanci të drejtëpërdrejta për këtë.
Megjithë këto informacione, detajet kryesore të samitit, përfshirë kohën dhe vendin, mbeten të paqarta. Lajmet për propozimin e samitit mes Trump dhe Kim Jong-un kanë surprizuar gjithë botën kur u publikuan në muajin mars. Kjo situatë erdhi pas kërcënimeve, fyerjeve personale dhe paralajmërimeve bërthamore mes liderëve të dy shteteve. Aktualisht, Koreja e Veriut ka ndaluar testet bërthamore dhe raketore për shkak të bisedimeve, dhe do t’i rifillojë vetëm në rast të humbjes së qetësisë për shkak të mosplotësimit të kërkesave të saj. /abcnews.al