Hapen kufijtë me Maqedoninë pas 3 muaj. Ndërkohë nuk do të ketë karantinim apo masa të tjera siç kanë qenë ato të pandemisë.
Pamjet që vijnë nga pika doganore e Qafë thanës tregojnë qartë që nuk ka pasur ndonjë fluks të lartë lëvizjesh të automjeteve.
Të parët që u ngutën të lëvizin në Maqedoni janë të papunët që ishin bllokuar. Tashmë ata do ta kenë më të lehtë të sigurojnë të ardhura në shtetin fqinj.
“Po shkoj për punë. Punojmë në ndërtim. Shkojmë çdo tre muaj. Nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër”, shprehet një qytetar.
Ndërkaq në Doganën e Bllatës, kishte një fluks më të shtuar. U ndeshëm kryesisht me gra dhe fëmijët që kaluan kufirin për tu takuar me familjarët e tyre në Dibrën e Madhe.
Lexo edhe: Hapet kufiri mes dy Dibrave, vajzat e martuara takohen me prindërit pas 4 muajsh izolim
Banorët e dy Dibrave kanë lidhje të shumta miqësore dhe farefisnore me njëra-tjetrën.
“U bë mirë që u hapën kufijtë. Të shohim gjakun tonë, kemi fëmijët atje. Kam dy vajza të martuara atje”, shprehet një tjetër qytetar.
Gjithsesi frika nga virusi ende ekziston për sa kohë që qytetarët ishin kujdesur të mbanin maska apo të ruanin distancë. Deri ditën e enjte në Maqedoninë e Veriut duhet të hyje vetëm nëse disponoje përgjigjen e testit për COVID-19 dhe të ishte kryer brenda 72 orëve në të kundërt duhet të vetëkarantinoheshin për 14 ditë.
Por nga kjo e premte mund të kalohet lehtësisht pa asnjë kusht./abcnews.al