Deputetja Rudina Hajdari ka mbështetur thirrjen e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.
Megjithatë Hajdari i mëshoi edhe njëherë thirrjes së saj të vazhdueshme për ndryshimin e sistemit duke e quajtur atë thelbësor.
“Kjo puna e Reformës në Drejtësi, palët i hedhin fajin njëri-tjetrit. Shqiptarët kanë mbetur peng nga akuzat ndaj njëri-tjetrit. Kam qenë nga ato deputete modele për integrimin dhe e kam mbështetur edhe maxhorancën sepse Reformën në Drejtësi është kusht nga BE.
I bashkohem thirrjes për plotësimin e vakancave në GjL dhe GJK. Ky parlament në këtë sezon duhet të mbyllet me ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave në zgjedhjet e ardhshme. Ndryshe do jemi të humbur totalisht para shqiptarëve. Këta deputetë këtu nuk përfaqësojnë popullin por vetëm lidhjen me kryetarin. Këtë e kam parë te sytë e të gjithë shqiptarëve.
Jeni lodhur nga kjo mënyrë e e të folurit por është thelbësore. Ajo që bëjmë në këtë parlament, jemi të detyruar t’i shtojmë Reformës Zgjedhore elementin më të rëndësishëm. Duhet të mbarojë koha kur ne nuk përfaqësojmë elektoratin tonë. Duhet të vijë rinia në këtë sallë dhe jo babëzia e atyre që rrinë pas kryetarit. Që në këtë sallë të fitojë fermeri dhe jo gangsteri”, tha Hajdari./abcnews.al