Shkëndija e mbyll kampionatin në vendin e tretë, me Vardarin që grumbulloi 11 pikë më shumë deri në momentin që kampionati u ndal dhe më pas u pezullua. Trajneri Ernest Gjoka, në këto kushte është larg kuqezinjve, sikurse raporton “sportmedia.mk”.
Gjatë këtyre ditëve do të vendoset përfundimisht për të ardhmen e tekniku kryeqytetas në krye të Shkëndijës, ndërkohë që puna në kampin tetovar ka nisur. Rinovimet janë pjesa më e rëndësishme e punës për momentin, por ka pasur edhe largime.
Të tjera lëvizje priten në vazhdim, kurse porsa i përket kandidatëve për të drejtuar Shkëndijën dy janë emrat më të lakuar. Rikthimi i Jeton Beqirit (aktualisht trajner i Strugës) është një opsion për kuqezinjtë, por ka edhe emra jashtë Maqedonisë së Veriut.
Ilir Daja shihet si favorit për të drejtuar Shkëndijën. Trajneri aktual i Skënderbeut është një nga më të kërkuarit në Superiore. Ai i ka dyert e hapura edhe te Tirana, ndërkohë që edhe Partizani në rast largimi të Sormanit e shikon si një kandidat të fortë për stolin. /abcnews.al