EMRAT /OFL “zbarkon” në Fier, u dërgon formularin 4 “të fortëve”

schedule13:34 - 23 Qershor, 2020

schedule 13:34 - 23 Qershor, 2020

Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formularin katër personave. Abcnews.al mëson se bëhet fjalë për: Astrit Gjoni, Shaban Zenaj, Petrit Sulejmani dhe Esat Mehmeti.

Subjektet e radhës të OFL janë në Fier dhe Divjakë. Sipas OFL ata duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme

Njoftimi i plotë:

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

-A. Gj., banues në Divjakë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprën penale “Vrasja e kryer në bashkëpunim” dhe nga Gjykata e Catanzaros, Itali, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”;

-Sh. Z., banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Milanos, Itali, për veprën penale “Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i shtetit talian;

-P. S., banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”;

-E. M., banues në Fier, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!