Facebook: Të dhënat janë përdorur nga Cambridge Analytica

schedule13:28 - 5 Prill, 2018

schedule 13:28 - 5 Prill, 2018

Facebook ka saktësuar se të dhënat e 87 milionë përdoruesve janë keqpërdorur nga kompania britanike Cambridge Analytica. Nga ana tjetër themeluesi, Mark Zuckerberg, i cili do të dëshmojë në Kongresin amerikan për këtë skandal, nuk ka pranuar të largohet nga drejtimi i rrjetit social.

Facebook pretendon që Cambridge Analytica, kompania e përdorur nga Donald Trump për fushatën e tij elektorale, ka pasur akses në të dhënat e 87 milionë përdoruesve të platformës së saj, dhe jo vetëm 50 milionë që ishte thënë më herët. Zbulimi erdhi në saj të një komunikimi të bërë nga Mike Schreopfer, shefi i zyrës së teknologjisë së Facebook. Ai gjithashtu prezantoi një sërë masash ndaluese të rrjetit social për të mbrojtur më mirë të dhënat personale të përdoruesve të saj.

“Është një gabim shumë i madh dhe është gabimi im”. Në këtë mënyrë, Mark Zuckerberg, drejtuesi dhe themeluesi i Facebook, ka kërkuar përsëri falje për skandalin. Gjatë një konference ka thënë se nuk mjafton që rrjeti social të besojë se krijuesit e aplikacioneve do të respektojnë rregullat, por duhet të bëjë verifikimet e duhura për këtë. Gjithashtu ai iu përgjigj zërave për një largim të mundshmë nga drejtimi i Facebook. Zuckerberg tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Ndërkohë, të dhënat për numrin e llogarive të përdorura nga Cambridge Analytica, vijnë në një kohë kur është bërë e ditur data e dëshmisë së Zuckerberg: me 11 Prill, ai do të paraqitet përpara komisionit për tregtinë dhe energjinë në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan. Themeluesi i Facebook është shprehur i gatshëm të dëshmojë që prej nisjes së skandalit me të dhënat e përdoruesve të rrjetit social. Këto polemika i shkaktuan Facebook humbje të shumta si në vlerë ashtu edhe në përdorues./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!