Protesta në Vorë/ Basha: Jemi në krah të protestuesve

schedule13:17 - 5 Prill, 2018

schedule 13:17 - 5 Prill, 2018

Opozita nisi sot mosbindjen civile duke bllokuar 4 akse kryesore rrugore të vendit. Qarkullimi i mjeteve u pezullua për rreth 2 orë, sa zgjati protesta. Grumbullimeve të qytetarëve iu bashkuan edhe drejtues dhe deputetë opozitarë. Ndjekim protestën e zhvilluar në Vorë, ku mori pjesë edhe Lulzim Basha.

Ishte njoftuar se mosbindja civile do të fillonte në orën 10.00 të së enjtes në autostradën Tiranë-Durrës, por në Vorë ajo filloi 30 minuta më herët.

Ky ndryshim orari i kapi të papërgatitur drejtuesit e automjeteve.

Pati edhe tension, ku një motorist kërkoi të kalonte me forcë përmes turmës së njerëzve.

Siç kishte njoftuar më herët, kreu i PD, Lulzim Basha, iu bashkua ne Vorë protestës se qytetarëve në ditën e parë të mosbindjes civile.

Takoi banorët e mbledhur në tubim dhe më pas qëndroi disa minuta këmbëkryq me ta mbi asfalt.

Tubimit iu bashkuan edhe opozitarë të tjerë, deputetë të PD dhe aleatë të saj.

 Në fjalën e tij, Basha shpjegoi arsyet se përse i kërkon qytetarëve të vendit të mos paguajnë taksat dhe të kundërshtojnë siç e quajti ai, shtetin privat të Edi Ramës.

Basha shtoi se aktualisht, populli futet në burg dhe lirohen kriminelët.

Për qytetarët e Vorës, arsyet e protestës ishin ato ekonomike dhe taksat që sipas tyre janë të papërballueshme.

Më e rëndë, situata ishte për disa drejtues mjetesh që ishin bllokuar në trafikun kilometrik të autostradës.

Policia qëndroi larg tubuesve, ndërsa kishte njoftuar më herët se protesta është e paligjshme. Per kete arsye, në njoftim zyrtar, policia kishte theksuar se do të ketë procedime penale ndaj organizatorëve të protestave./abcnews.al