Inteligjenca amerikane ka njoftuar se Rusia ka ftuar liderin e Koresë së Veriut për një vizitë zyrtare. Mendohet se Putin dhe Kim Jong-un do të diskutojnë për çarmatosjen bërthamore të gadishullit Korean.
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, është ftuar për një vizitë në Rusi. Këtë e ka njoftuar shefi i Inteligjencës Kombëtare Amerikane, që koordinon të gjitha agjencitë e inteligjencës së SHBA-ve, Daniel Coats, duke folur në një takim me një grup gazetarësh, mes të cilëve edhe korrespondenti në Uashington i agjencisë shtetërore të lajmeve ruse, Tass.
Coats tha se, në sajë të udhëtimit të Kim në Kinë për takimin me presidentin Xi Jinping, nuk është e qartë nëse po vlerësohet rikthimi i formatit të samitit me 6 shtete për denuklarizimin e gadishullit Korean.
“Kemi dijeni vetëm që ka mbajtur disa takime në Kinë dhe që ka një ftesë për vizitë në Rusië për negociatat”, u shpreh zyrtari i inteligjencës amerikane.
Ai shton më tej se SHBA dëshiron të mësojë se çfarë çështjesh do të diskutohen me Moskën.
“Shpresojmë që të mësojmë se për çfarë do të bisedojnë”, u shpreh Coats.
Më herët zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në një konferencë për shtyp evitoi të përgjigjej mbi temën e një vizite të mundshme të Kim Jong-un në Rusi. Pavarësisht lajmërimit të inteligjencës amerikane, me 28 Mars, Kremlini bëri të ditur se nuk është në agjendë asnjë plan për një samit me Phenianit dhe Moskës.
Ndërkohë, lideri i regjimit komunist zhvilloi vizitën e tij të parë pas ardhjes në pushtet në 2011 në Pekin. Zyrtarizimi i udhëtimit u bë vetëm pas përmbylljes së vizitës. Këto zhvillime vijnë pas gatishmërisë së shprehur nga Kim për çarmatosjen bërthamore të gadishullit Korean. Për këtë ai do të zhvillojë dy takime me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe atë amerikan, Donald Trump./abcnews.al