Gjykata e Lartë e Brazilit ka konfirmuar dënimin për ish-Presidentin Lula Da Silva. Ai do të kalojë 12 vite në burg dhe është dënuar për akuzën e pastrimit të parave dhe korrupsionit.
Gjykata e Lartë Federale në Brazil ka rrëzuar kërkesën e ish-Presidentit Lula Da Silva për të rishqyrtuar lirimin e tij nga burgu. Me këtë vendim, ai do të burgoset dhe do të vuajë dënimin për 12 vite, që i është caktuar për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ashtu siç ishte parashikuar nga ekspertët, vendimi është marrë me një mazhorancë të ngushtë, 6 vota pro dhe 5 kundër.
Zyrtarisht ka ndikuar mendimi i Presidentes së Gjykatës së Lartë, Carmen Lucia, e cila ka votuar e fundit, që ka shënuar rrëzimin e kërkesës ligjore të ish-kreut të shtetit. Në këtë mënyrë u shuan shpresat e Lulës për liri dhe mbështetësve të tij gjatë procesit të gjatë që zgjati më shumë se 10 orë.
Ndërkohë, vendimi i Gjykatës së Lartë ka shkaktuar zemërimin e shumë qytetarëve. Mijëra persona kanë manifestuar pro dhe kundër ish-Presidentit në të gjithë Brazilin. Mësohet se në shesh dolën qytetarët e 16 nga 27 shtetet e vendit amerikanojugor. Mbi 4 mijë agjentë të sigurisë dhe policë u vendosën në afërsi të godinës së Gjykatës së Lartë për ta mbojtur atë nga ndonjë dëmtim i mundshëm gjatë protestave./abcnews.al