Kreu i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla në një konferencë për shtyp u shpreh se Komisioni Venecias është një trupë profesioniste që ndihmon me opinione.
Gjatë fjalës së tij Balla tha se shkarkimi i Presidentit të Republikës nuk ka qenë qëllim në vetvete.
“Shkarkimi i Presidentit të Republikës nuk ka qenë qëllim në vetvete. Komisioni Hetimor Parlamentar i iniciuar nga 55 deputetë është një komision që po vijon punën. Ka pasur një objekt të punës hetimore disa çështje të rëndësishme. Opinioni lidhur me çështjen e emërimeve ne Kushtetuese e thotë qartë se ka një vakum.
Lexo edhe: Vendimet e “Venecias”, Balla: Dëshmojnë bashkëpunim, duhen analizuar pa eufori
Dhe në lidhje me aktin e presidenti duke mos i ofruar mundësi betimi një anëtari për t’u votuar në Kushtetuese. Komisioni i Venecias është i qartë në këtë pikë. Qoftë dhe presidenti i Republikës nuk mund të ketë të drejtë që pas skadimit të afatit 30 ditor, të mos ia ofrojë betimin. Unë inkurajoj Komisionin që të vijojë punën.
Sa i takon shkarkimit të tij, besoj se mëkati i tij lidhur me ligjshmërinë, është i qartë si drita e diellit lidhur me aktin joligjor të dekretit, apo zhdekretimi i 30 qershorit, që ka qenë objekt vlerësimi i një opinioni tjetër. Shkarkimi i presidentit nuk kërkon vetëm 94 vota në kuvend, por dhe një vendim nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi Balla.
Balla më tej theksoi se Komisioni i Venecias miratoi ditën e djeshme 2 opinione të kërkuara nga Shqipëria.
“Sipas Komisionit të Venecias bllokimet e qëllimshme mund të konsiderohen si pezullime të paarsyeshme. Nevoja për bashkëpunim institucional, është nxitur nga Komisioni i Venecias. Opinionet dëshmojnë bashkëpunimin e gjatë me Komisionin e Venecias. Nuk është detyrë e Venecias të analizojë sjelljen e palëve, por e autoriteteve shqiptare. Është detyra jonë që opinionet mos t’i lexojmë me disa fjali. Venecia është trupë profesionistësh të spikatur”, tha Balla.
Gjithashtu Balla theksoi se Komisioni i Venecia ka përkrahur ligjin anti-shpifje.
“Komisioni i Venecia i ka dhënë dritën jeshile paketës anti–shpifje. Në 30 janar mazhoranca vendosi ta votojë ligjin dhe vetëm pasi të kishte marrë Komisionin e Venecias. Opinioni i Komisionit të Venecias , nuk e ka hedhur poshtë ligjin, por ka përkrahur nevojën e nje ligji të tillë. Ky do të shërbejë si udhërrëfyes për shumë vende të tjera. Problemet e identifikuara nga autoritetet shqiptare janë serioze thotë Komisioni i Venecias. Venecia vlerëson se ligji është konsultuar gjerësisht me publikun”, tha më tej Balla./abcnews.al

