FOTO/ Homazhe në nder të Moikom Zeqos

schedule09:55 - 20 Qershor, 2020

schedule 09:55 - 20 Qershor, 2020

Në Muzeun Historik Kombëtar ditën e sotme janë mbajtur homazhe në nder të Moikom Zeqos.

Homazhet u zhvilluan në Muzeun Historik Kombëtar, ashtu siç edhe i ndjeri kishte lënë amanet.

Sipas familjarëve, kjo ishte dëshira e tij e fundit, për t’ju dhënë lamtumira në një institucion që e drejtoi për 8 vite radhazi, 1997-2005.

Në homazhet e Moikom Zeqos morën pjesë figura të njohur të politikës.

Presidenti i Republikës Ilir Meta në një prononcim për gazetarët vlerësoi figurën e Zeqos.

“Është një moment vërtet pikëllues edhe për mua si President i Republikës. Erdha personalisht t’i jap lamtumirën e fundit një personaliteti të jashtëzakonshëm. Kam pasur fatin ta lexoj para se ta njoh nga afër, edhe në momente të vështira dhe të mësoj mjaft prej tij. Është nga ata njerëz që për njohuritë dijet nga fushat më të ndryshme janë shumë të rrallë, aq më tepër në një vend si i yni. Mungesën e tij do ta ndjejmë në të ardhme për faktin se njohjet dhe dijet e tij i vuri në shërbim të kauzave kombëtare, publike, në shërbim të së vërtetës”, u shpreh Meta.

Djali i Studiuesit Moikom Zeqo për “ABC News” i ndodhur në një situatë të vështirë,  ndërsa shtoi se gjenerata e re ka nevojë për njohuri dhe dije.

Moikom Zeqo u nda nga jeta 5 ditë më parë pasi vuante nga një sëmundje rëndë, por do të përcillet sot për në banesën e fundit, pasi pritej edhe kthimi në Shqipëri i djalit të tij.

Kush ishte Moikom Zeqo?

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Familja e tij është me origjinë nga Libohova, ku ai mbaroi edhe arsimin fillor.

Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë.

Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së.

Më 1997-2005, Moikom Zeqo ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar. Zeqo autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.

Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.

Ai është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.

Ai mban Urdhërin “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Moikom Zeqo është edhe Doktor i Shkencave./abcnews.al