Mbretëresha Elizabeth ka falënderuar bizneset në mbarë botën për përgjigjen e tyre gjatë pandemisë së koronavirusit dhe për punën e tyre në “rindërtimin e komuniteteve”, teksa bizneset po fillojnë të rihapen, pas lehtësimit të masave.
“Në kohën kur shumë organizata në vend po rihapen, dua të ju përcjell urimet e mia më të mira dhe mbështetjen time për komunitetin e biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, Commonwealth (bashkësia prej 54 shteteve, pothuajse që të gjitha ish-territore të Perandorisë britanike) dhe në mbarë botën”, tha Mbretëresha Elizabeth.
“Në këtë kohë të vështirë për të gjithë është kënaqësi të shohësh mënyrën si janë përgjigjur bizneset dhe bujarinë që kanë treguar ndaj sfidave që janë paraqitur, duke ndihmuar sektorin e shëndetësisë apo edhe komunitetet më të prekura”, tha Mbretëresha.
Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar është goditur shumë pasi qeveria vendosi masat e izolimit në muajin mars, duke detyruar që të mbyllen të gjitha bizneset jo-të nevojshme./abcnews.al