Edi Martini, trajneri i Teutës, ka dalë sot para medieve dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Luftëtarin. Shkodrani fillimisht ka vlerësuar triumfin me Tiranën dhe thekson se në skuadrën e tij nuk ka vend për eufori.
“Teuta bëri ndeshje të shkëlqyer me Tiranën, ishte më e mira që kemi bërë deri tani. Duhet të shfrytëzojmë momentin e mirë dhe këtë moral, të vazhdojmë përpara. Eufori nuk ka, e shoh qartë gjatë çdo seance stërvitore dhe në bisedat me lojtarët. Kemi punuar me kujdes. Djemtë janë të mobilizuar. Euforia tek ne nuk ka vend”, tha fillimisht Martini.
Objektivi ndaj Luftëtarit është i qartë: “Në çdo ndeshje futemi për të fituar. Me Luftëtarin e kemi detyrim fitoren, edhe për pozitat që ata kanë. E vlerësojmë maksimalisht si ndeshje dhe më vjen keq që kanë rënë nga kategoria. Do shkojmë atje të bëjmë detyrën tonë dhe të marrim pikët e plota”.
Martini ka luajtur si lojtar me Luftëtarin dhe më pas ka qenë edhe trajner. A është një ndeshje speciale për të? “Kam shumë miq atje, kam kaluar një periudhë të mirë atje. Nuk ka diçka speciale, luajmë kundër çdokujt. I tillë është ku profesion”, shtoi trajneri i Teutës.
Në lidhje me formacionin, Martini u shpreh: “Nuk do të bëjmë rotacion, do jetë formacioni që luajti kundër Tiranës. Nëse shkon mirë ndeshja, atëherë mund të bëjmë ndryshime gjatë saj. Duhet të luajmë nga fillimi në fund, nuk ka vend për nënvlerësim dhe rotacion.
Cyrbja është i dëmtuar, shpresoj të kthehet sa më shpejt. U kthye Beqja,i dëmtuar në ndeshjen me Vllazninë. Pjesa tjetër e ekipit nuk ka probleme”. Në fund Martini foli edhe për objektivin Europë: “Do dëshiroja të fitoja Kupën, por duhet ta sigurojmë pjesëmarrjen në Europë prej kampionatit. Pastaj mund të jemi më të qetë për Kupën”. /abcnews.al

