Përgjimet pa leje nga policia, Nano: Mazhoranca u tërhoq, por nuk meriton medalje

schedule21:12 - 16 Qershor, 2020

schedule 21:12 - 16 Qershor, 2020

Në monologun e tij këtë të martë në “Provokacija”, Mustafa Nano është ndalur tek çështja përgjimeve ambientale nga policia.

Nisma u mor pak javë më parë nga mazhoranca që kishte të bënte me ndryshime ligjore në lidhje me dhënien e të drejtës policisë për përgjime, pa autorizim.

Ndërkohë, Nano shprehet se mazhoranca është tërhequr nga kjo nismë. “Burime nga brenda mazhorancës, që nuk duan të identifikohen (dhe ky nuk është një spekullim) thonë se në këtë pikë po tërhiqen”, thotë Nano, ndërsa shton se mazhoranca nuk meriton asnjë medalje për këtë hap prapa, por ka hak të qortohet e të denoncohet për atë që planifikoi të bënte.

Monologu i plotë:

Ne, si çdo vend tjetër, kemi një ligj për policinë. Dhe në nenin 131 të këtij ligji saktësohet mënyra se si bëhet përgjimi i bisedave në ambiente të hapura apo në telefon nga ana e policisë. Dhe aty thuhet:

Pika 1. Kur në bazë të të dhënave që disponohen dyshohet se një person ka kryer një vepër penale ose po planifikon apo po organizon që të kryejë një krim …, një kryekomisar i policisë apo një epror i tij kërkon autorizimin nga PROKURORI për të bërë

a) përgjimin e fshehtë të bisedave në vende publike ose në mjete transporti;

b) përgjimin e fshehtë të bisedave telefonike;

c) përdorimin e pajisjeve teknike për fotografim, regjistrim audio ose video.

Siç shihet, asnjë përgjim nuk mund të bëhet pa autorizim nga një prokuror i Republikës, i cili nga ana e vet duhet t’i marrë dorën gjyqtarit për të lëshuar këtë autorizim.

Kjo është praktika edhe sot e kësaj dite. Kjo është një praktikë e njohur kudo nëpër botë. Kjo kompetencë mund të ketë ndryshime të vogla, sipas vendit, por ka një gjë që nuk ndryshon. Policia nuk ka të drejtë të përgjojë pa autorizim nga një strukturë tjetër, që rëndom është prokuroria.

Kjo maxhorancë mori nismën ligjore për ta ndryshuar këtë nen. Dhe nuk po tenton të bëjë një ndryshim dosido. Përkundrazi, po tenton të bëjë një ndryshim esencial. Po tenton t’ia japë policisë këtë kompetencë. Po tenton t’ia heqë prokurorisë. Dhe jo një prokurorie çfarëdo.

Po tenton t’ia heqë Prokurorisë që ka dalë nga reforma në drejtësi. Po kërkon t’ia heqë SPAK-ut, që është një strukturë e dalë prej reformës, dhe për të cilën ne kemi kohë që flasim me shpresë e me besim. Kemi kohë që e presim si institucionin që do bëjë diferencën në Shqipëri.

Dhe këta ia heqin SPAK-ut dhe ia delegojnë policisë, një policie që drejtohet nga njerëz politikë. Krerët e policisë, të gjithë e dimë këtë, janë njerëz që hiqen e vihen sipas qejfit të kryeministrit e të ministrit të brendshëm, që janë funksionarë nga natyra politikë.

Ja si duan ta bëjnë nenin 131:

Pika 1. Me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, Policia e Shtetit ka të drejtë të bëjë:
a) Përgjimin ambiental të bisedave të personave në ambiente publike, si dhe në mjete të transportit publik;
b) Përdorimin e pajisjeve teknike për fotografimin dhe filmimin e personave në vende publike;

  1.  Përgjimin e bisedave telefonike;

ç) Mbikëqyrjen e fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale.

Të gjitha këto mund t’i bëjë një kryekomisar. Mjaft t’ia japë në kokë, dhe ai mund të përgjojë këdo. Përsëris: me ligjin që duan të bëjnë, kjo e drejtë u jepet krerëve të policisë shqiptare, të cilëve u rreh zemra më së shumti për partinë. Një ligj i marrë.

Tani, për fat të mirë, po thuhet se mazhoranca është tërhequr. Burime nga brenda maxhorancës, që nuk duan të identifikohen (dhe ky nuk është një spekullim) thonë se në këtë pikë po tërhiqen. Dhe kjo është një gjë e mirë. Duhet t’u vijë turp që e ndërmorën këtë nismë, por është një gjë e mirë që po tërhiqen. Nuk dihet nëse ka qenë ndonjë presion i partnerëve ndërkombëtarë, apo është fjala për një reflektim të brendshëm, por dihet që ky hap i madh prapa fatlumërisht është bërë. Përsëris, megjithatë: maxhoranca nuk meriton asnjë medalje për këtë hap prapa. Përkundrazi, e ka hak të qortohet e të denoncohet për atë që planifikoi të bënte.

/abcnews.al