Politika shqiptare nuk e ka mbajtur premtimin për ta bërë të mundur votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Në zgjedhjet e 2017-ës, siç premtoi kryeministri Edi Rama, duhet të ishin të fundit ku vota e diasporës shqiptare, do të mungonte.
“Zgjedhjet e ardhshme(2017) do të jenë të fundit ku shqiptarët jashtë atdheut nuk do të kenë mundësi të votojnë në distancë”, është shprehur Rama në nëntor të 2016.
Nga ky premtim kanë kaluar gati 4 vjet dhe duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Dy përfaqësuese të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, pjesë e Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare, Anila Hyka dhe Brikena Muharremi tregojnë se pengesa është vetëm politike.
“Ndoshta fjala tradhtuar është pak e rëndë por është mosmbajtje fjale ose më saktë neglizhim. Së pari është çështje e vullnetit të politikës shqiptare. Duhet të jetë në prioritetin të tyrezës por dhe të partive politike vota e shqiptarëve jashtë vendit”, theksoi Anila Hyka, përfaqësuese e shqiptarëve që jetojnë në Francë por jo vetëm.
“Arsyet teknike janë shumë lehtë të tejkalueshme por mendoj që ka munguar një vullnet politikë që kjo çështje të përshpejtohet. Megjithatë, e drejta e votës mendoj se do të arrihet, është çështje kohe”, shprehet Brikena Muharremi, që përfaqëson interest e shqiptarëve që jetojnë në Britaninë e Madhe.
Për më tepër vota e emigrantëve është një e drejtë e parashikuar në Kushtetutë.
“Kemi të bëjmë me një të drejtë e cila garantohet me Kushtetutë por Kodi Zgjedhor i tanishëm e mohon atë”, ka thënë Muharremi.
“E vetmja formë e çdo shtetasi shqiptar për t’iu dëgjuar zëri është përmes votës. Në rast se ne kjo na mohoet nuk ka forma të drejta, mund të diskutosh, mund të bësh kërkesa asgjë nuk dëgjohet”,shprehet Hyka.
Veç propozimeve në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Këshilli së fundmi ka ndërmarrë një peticion, që është firmosur deri më tani nga mbi 2500 shqiptarë por sërish ka heshtje.
“Ne ia kemi dorëzuar peticionin institucioneve, ia kemi dorëzuar Presidentit, kryeministrit, kryetarit të parlamentit, zotit Basha, zonjës Kryemadhi, Komisionit për Reformën Zgjedhore. Deri më tani nuk kemi reagim zyrtar”, u shpreh zonja Muharremi, përveç konsideratës nga ana e Komisionit për Reformën Zgjedhore që do të jap votën për ndryshimet në ligjin elektoral.
Peticioni në fjalë parashtron dy kërkesa:
“E para është e drejta e votës që shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë që tu jepet mundësia që të drejtën Kushtetuese të zbatohet dhe të votojnë nga vendet ku jetojnë dhe kërkesa e dytë është mundësia që të njohin kandidatët për këtë votojë, pra lista të hapura”, tha zonja Hyka.
Pse është e rëndësishme vota e shqiptarëve?
“Me inkuadrimin e votës së diasporës do të rritej legjitimiteti i institucioneve të shtetit shqiptarë, pra do ishte një demokraci më e avancuar”, nënvizon Brikena Muharremi.
“Shtetasi shqiptarë që është jashtë, që është i integruar qoftë dhe një student dhe çdo njëri që ka një distancë që nuk ka varësi ekonomike jetike e ka më të lehtë të bëjë përzgjedhjen por edhe partitë politike do të mendohen mirë kur do i zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, ka thënë për Abc Neës Hyka.
Sipas shifarev zyrtare të INSTAT, për vitin 2019 numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit ishte rreth 1.64 milionë. Por numri mendohet të jetë edhe më i lartë pasi në këtë shifër përfshihen vetëm individët me shtetësi shqiptare./abcnews.al