Londra, kryeqyteti i kriminalitetit

schedule22:44 - 2 Prill, 2018

schedule 22:44 - 2 Prill, 2018

Numri i paprecedentë i vrasjeve dhe akteve të dhunës që nga fillimi i vitit e ka kthyer Londrën në kryeqytetin e krimit. Të alarmuara, autoritetet vendase kanë nisur hartimin e një plani, që përveç se në fushën e rendit do të shtrihet edhe në atë sociale e arsimore.

Shifrat e kriminalitetit të regjistruara në tremujorin e parë të vitit në Londër kanë alarmuar autoritetet lokale të sigurisë. Me 8 vrasje në janar, 15 në shkurt dhe 22 në mars, kryeqyteti britanik i ka “zhvatur” primatin edhe Nju Jorkut, i njohur për taksën e lartë të kriminalitetit.

Nëse nga njëra anë Londra është qyteti i shumëllojshmërisë kulturore, teatreve dhe parqeve të bukura, në anën tjetër duket se është edhe qytet i disa lagjeve të varfëra, ku mungesa e shanseve për të rinjtë çon në krijimin e bandave të armatosura dhe dhunës. Për Policinë Metropolitane, të dhënat e regjistruara këtë vit janë të papranueshme.

“Çdo vrasje është një tragjedi, ndaj po punojmë me partnerët tanë për të kuptuar përse kjo rritje e dhunës dhe si të ndërhyjmë për ta frenuar”, ka deklaruar një zëdhënës.

Për autoritetet e sigurisë, i qartë është fakti se bëhet fjalë për një fenomen që nuk mund të zgjidhet vetëm nga forcat e rendit.

“Është një fenomen edhe kulturor e social, të cilin duhet ta zgjidhim duke e trajtuar në aspekte të ndryshme”, ka thënë zëdhënësi, duke shtuar se nevojitet një qasje që të përfshijë shkollat, shërbimet e asistencës sociale, qendrat komunitare dhe organizatat rinore.

Aktet e dhunës, sidomos ato me armë të ftohta, janë një problem për të cilin shefja e Policisë Metropolitane, Cressida Dick po konsultohet me oficerë veteranë dhe zyrtarë të komunave që në përpjekjet e tyre kanë arritur rezultate inkurajuese. Në Shkurt, ajo ishte në Skoci, ku prej vitit 2008 e deri më sot kuota e vrasjeve ka rënë me 45 për qind falë implementimit të një plani parandalues që përfshiu gjithë komunitetin.

“Kemi filluar ta trajtojmë dhunën si një sëmundje. Kemi bërë kërkime për të identifikuar shkaqet dhe për të konstatuar simptomat e para duke u ofruar individëve të rrezikuar një alternativë; një punë, një shtëpi, një zanat”, ka sqaruar një zyrtar vendas./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!