Zelanda e Re ka regjistruar dy raste të reja me Covid-19 ditën e sotme. Lajmin e konfirmoi Ministria e Shëndetit në vend ndërsa këto janë rastet e para që vendi regjistron në 24 ditë.
Dy rastet e reja janë dy grua nga e njëjta familje të cilat arritën në Zelandën e Re nga Britania e Madhe nëpërmjet Australisë. Gratë u lejuan që të dilnin nga izolimi në një hotel në Auckland dhe të udhëtonin drejt Uellingtonit përmes një automjeti privat në mënyrë që të shkonin të vizitonin një të afërt që më pas ndërroi jetë.
“Një rast i ri është diçka për të cilën ne shpresuam që nuk do të ndodhte, por për të cilën jemi të përgatitur,” u shpreh Ashley Bloomfield, nga autoritetet e Shëndetit në vend.
Ai shtoi se një nga gratë kishte pasur simptoma të lehtë, por i kishte neglizhuar. Shtohet gjithashtu se ato nuk përdorën asnjë mjet të transportit publik gjatë udhëtimit të tyre.
Javën e shkuar, Zelanda e Re i hoqi pothuajse të gjitha masat kufizuese, edhe pse kufizimet për të hyrë brenda shtetit mbeten në fuqi.
Rastet e reja e çojnë numrin e të infektuarve në 1,156. /abcnews.al/