Javën e fundit në vend është shënuar një rritje e papritur e rasteve me koronavirus. Nisur nga kjo situatë, Urgjenca Kombëtare ka njoftuar se ditët e fundit është rritur numri i thirrjeve në numrin 127.
Sipas Urgjencës javën e kaluar janë regjistruar rreth 11 mijë e 2 qind thirrje, rreth 2500 thirrje më shumë nga java e kaluar. Po ashtu gjatë kësaj jave janë dyfishuar rastet e referuara për tampon tek epidemiologët.
Ndërkaq, urgjenca u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm. “Ruani distancimin fizik mbi 1.5 metër. Kur nuk arrihet distancimi fizik përdorimi i maskës është i domosdoshëm. Ruani etiketën respiratore. Kur kolliteni apo teshtini përdorni shami letre ose këndin e brrylit. Masat e higjienës personale duhet të kombinohen me larjen sa më të shpeshtë të duarve për më shumë se 20 sekonda”, thuhet mes të tjerash në njoftim.
Reagimi i plotë:
Nisur nga situata e krijuar dhe numri në rritje i të infektuarve me COVID-19, pranë Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore është rritur edhe numri i thirrjeve drejt numrit unik 127.
Gjatë javës që lamë pas drejt numrit 127, janë regjistruar rreth 11 mijë e 2 qind thirrje, rreth 2500 thirrje më shumë nga java e kaluar. Po ashtu gjatë kësaj jave janë dyfishuar rastet e referuara për tampon tek epidemiologët. Duke pasur parasysh rastet e reja të konfirmuara me COVID-19, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, ju këshillon të tregoheni të kujdesshëm, të ruani distancën dhe të ndiqni me përpikmëri protokollet e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ruani distancimin fizik mbi 1.5 metër. Kur nuk arrihet distancimi fizik përdorimi i maskës është i domosdoshëm. Ruani etiketën respiratore. Kur kolliteni apo tështini përdorni shami letre ose këndin e brrylit. Masat e higjienës personale duhet të kombinohen me larjen sa më të shpeshtë të duarve për më shumë se 20 sekonda.
Evitoni ambientet e mbyllura dhe grumbullimet me shumë njerëz dhe kujdesuni për të moshuarit. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
QKUM në shërbimin tuaj!
/abcnews.al