Partizani, pas pesë humbjesh radhazi, ka mundësinë të rikthehet te fitorja dhe në fakt e ka detyrim, kur shikon se përballë do të ketë ekipin e Luftëtarit, matematikisht i rënë nga Superiorja.
LEXO EDHE: Zyrtare/ Superiorja falas, klubet shqiptare humbin miliona
Kjo përballje do të luhet sot prej orës 17:00 dhe të kuqtë nuk do të kenë Esat Malën e dëmtuar, kurse lajmi i mirë është rikuperimi i mbrojtësit Hektor Idrizaj, i cili pritet titullar në linjën e djathtë të prapavijës.
Sot luhet edhe në Kategorinë e Parë, në grupet e skuadrave që luajnë për t’u ngjitur në Superiore. Kastrioti kryesues përballet me Korabin, në Kamëz, dhe kërkon pikët e plota, sikurse Besëlidhja rivale që pret Erzenin në Lezhë.
Veç këtyre dy përballjeve në grupin A, luhet edhe një në B. Pogradeci i vendit të parë luan në transfertë me Besën, kurse Lushnja-Apolonia luhet nesër, për shkak se fierakët ishin të angazhuar në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë të enjten.
Po sot, futboll luhet edhe në Kategorinë e Dytë dhe në grupin B gara për vendin e parë është mjaft interesante, mes skuadrave si Tomori, Albpetroli e Maliqi. / abcnews.al