Izraeli i thotë jo hetimit të pavarur për viktimat në Gaza

schedule16:51 - 1 Prill, 2018

schedule 16:51 - 1 Prill, 2018

Izraeli nuk ka pranuar kërkesën e Kombeve të Bashkuara dhe Unionit Europian për një hetim të pavarur rreth vrasjes së protestuesve palestinezë. Për këtë çështje është regjistruar dhe një përplasje mes kryeministrit Netanjahu dhe presidentit turk Erdogan.

Izraeli ka kundërshtuar kërkesën për një hetim të pavarur të propozuar nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dhe nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, pas përleshjeve të së premtes në kufirin mes Gazës dhe shtetit hebre. Në ato zhvillime 16 palestinezë u vranë nga ushtarët izraelitë.

“Nuk do të ketë asnjë komision hetimor”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, duke nënvizuar se këto kërkesa janë hipokrite.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar në Këshillin e Sigurisë së OKB-së një projekt-rezolutë që kërkonte moderim dhe një hetim të pavarur dhe transparent për përleshjet në kufirin mes Palestinës dhe Izraelit, ku u vranë 16 persona dhe 1400 të tjerë mbetën të plagosur nga të shtënat e ushtrisë izraelite. Kjo është bërë e ditur nga mediat ndërkombëtare që citojnë burime diplomatike. Rezoluta ishte propozuar nga Kuvajti, që përfaqëson botën Arabe në Këshillin e OKB-së.

Në dokument shprehej shqetësim i madh për situatën në kufirin mes dy vendeve dhe konfirmohej e drejta për të protestuar paqësisht. Ndërkohë, vrasjet e protestuesve shkaktuan dhe një grindje mes kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan. Shefi i qeverisë së shtetit hebre ka refuzuar leksionin moral të Erdogan, i cili dënoi ushtrinë izraelite duke thënë se kanë ndërmarrë një sulm çnjerzor.

“Ushtria më e mirë në botë nuk mund të vendoset në bankën e të pandehurve në aspektin e moralit nga ata që për vite kanë qenë duke bombarduar civilët pa dallim”, ka shkruar në Twitter Netanyahu.

Ndërsa Erdogan i është përgjigjur: “Netanyahu, ti je një pushtues, dhe si i tillë që je në atë tokë, në të njëjtën kohë je dhe terrorist”.

Ndërkaq, ushtria izraelite është kritikuar nga grupe për të drejtat e njeriut që e akuzojnë se ka përdorur plumba të vërtetë ndaj manifestuesve në Gaza. Mijëra palestinezë ishin mbledhur në kufirin mes dy vendeve për të marrë pjesë në “Marshimin e Madh të Rikthimit”, një protestë e cila zgjat disa javë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!