Arturo Vidal ka fituar me çdo klub ku ka luajtur dhe me kombëtaren e Kilit. 20 trofe numëron “luftëtari” i mesfushës dhe kërkon më shumë respekt për këto arritje. Emri i tij qarkullon prej kohësh në merkato dhe Barcelona po tenton ta përdorë si shkëmbim për të arritur te lojtarë të tjerë.
Diçka e tillë nuk i pëlqen 33-vjeçarit, i cili prek disa tema për El Periódico de Catalunya, aty ku i “shkel syrin” Antoni Contes. Të dy kanë punuar te Juventusi, trajneri zikaltër e vlerëson shumë dhe dëshiron ta ketë sërish, tashmë tek Interi. E ardhmja pritet të jetë në stol dhe trajneri Vidal do të jetë edhe më shumë interesant se futbollisti.
“Kam fituar shumë trofe për t’u konsideruar si një mjet shkëmbimi në merkato. Pak lojtarë kanë bërë një rrugëtim si timin. Nuk jam një djalë i ri, nuk mendoj se jam në merkato sa herë që mediet shkruajnë për mua, përndryshe çmendesh.
Ka edhe dy muaj që të mbyllet sezoni dhe dua të ndihem i rëndësishëm. Ndihem mirë te Barcelona, familja ime është e lumtur dhe kam shumë miq këtu. Dua të luaj, nuk po them çdo ndeshje, por ato të rëndësishmet po.
Conte? Kemi një raport shumë të bukur, ai e di që jam një fitues dhe që mund të mbështetet tek unë. Këtë gjë kërkoj edhe te Barcelona. Pres të besojnë tek unë këto dy muaj. Njerëzit më duan, e ndjej kur takohem me ta në rrugë. Kjo ndodh sepse jap gjithçka në fushë.
E ardhmja? Periudhën e karantinës më erdhi dëshira për t’u bërë trajner. Kam punuar me trajnerë profesionistë të stileve dhe kulturave të ndryshme, si Guardiola, Conte, Ancelotti dhe Heynckes. Kanë lënë një shenjë tek unë.
Guardiola e njeh shumë mirë futbollin, Heynckes dhe Ancelotti janë të aftë në menaxhimin e grupit. Me kalimin e kohës do të bashkoj më të mirën e tyre për karrierën time të ardhshme si trajner“, përfundon Arturo Vidal. /abcnews.al