Pas ekzekutimit del kënga për Billën, pseudonimi i viktimës dhe lidhja me grupin e reperëve

schedule13:18 - 13 Qershor, 2020

schedule 13:18 - 13 Qershor, 2020

Dy ditë nga ekzekutimi mafioz i Hekuran Billës, ngjarje e ndodhur në një zonë mjaft të populluar të Tiranës, miqtë e tij reperë i kanë kushtuar një këngë në nder të kujtimit të tij.

Me anë të një klipi, ku shfaqen disa nga fotot e të ndjerit Billa, ata kanë nxjerrë edhe këngën që i dedikohet atij, duke e cilësuar si kuksiani  kavalier.

“Qofsh i xhenetit lal, do jesh gjithmonë në zemrat tona”, shkruhet në një nga fotot e Billës. Ajo që bie në sy është 40-vjeçari bënte një jetë mjaft luksoze me veshje të shtrenjta dhe makina të tipit të fundit.

Hekuran Billa kishte njohje me disa reperë të njohur shqiptarë, mes tyre edhe Noizyn dhe pjesëtarë të tjerë të grupit OTR në radhët e të cilëve njihej me pseudonim “Daja”. ABC News mëson se disa prej tyre janë parë mbrëmjen e 11 qershorit pranë vendit ku u ekzekutua Billa.

LEXO EDHE: Ekzekutimi i Hekuran Billës, policia shpall në kërkim vëllain e Prel Markut

Billa u vra me plumb silenciator në zonën e Komunës së Parisit, teksa po kthehej nga Durrësi, në automjetin e tij BMW X6. Autorët e qëlluan teksa ishte në lëvizje, çka bëri që ai të përplasej me disa makina të tjera përpara tij.

Pista kryesore për ekzekutimin e tij është një ngjarje e ndodhur në vitin 2006 në Angli, ku Billa vrau me armë zjarri Prel Markun. Policia ka shpallur në kërkim vëllain e këtij të fundit, pasi pas kontrollit të kryer, ai nuk është gjetur në banesën e tij.

Ditën kur u vra Hekuran Billa duhet të ishte pas hekurave duke vuajtur dënimin përjetë, por Gjykata e Apelit e liroi nga ky dënim, e më pas gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha firmosi lirimin e tij nga qelia me argumentin se duhet të punonte për ilaçet e prindërve, pavarësisht se Billa ishte biznesmen dhe kishte në pronësi disa dyqane në Tiranë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!