Gjyqtarja “bujare” e Krujës ka liruar me kusht, disa nga “të fortët” e krimit

schedule20:53 - 12 Qershor, 2020

schedule 20:53 - 12 Qershor, 2020

Disa nga të dënuarit me burgim të përjetshëm, për t’i shpëtuar izolimit, e gjenin zgjidhjen nga Gjyqtarja e Krujës Enkelda Hoxha.

Vendimi për lirinë më kusht, i personave me rrezikshmëri të lartë si Genc Tafili, Endrit Dokle apo Hekuran Billa, mban pikërisht firmën e kësaj gjyqtareje.

Në të gjitha vendimet që ajo ka dhënë, ka ndjekur të njëjtën strategji.

Fillimisht pranon kërkesën për amnisti dhe ulje dënimi, deri në momentin që të plotësohen vitet e duhura të dënimit për t’i liruar me kusht, dhe vitet e mbetura të qelisë, ua konverton në shërbim prove.

Enkelda Hoxha në nëntor të 2017-ës, liroi me kusht Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit.

Tafili nga 25 vite burg kishte kryer vetëm 17. Po me këtë skemë, gjyqtarja e Krujës ka liruar disa ditë më vonë pas Tafilit  edhe Ilir Pajën, të cilit i kishte mbetur nga dënimi pa shlyer një vit burg për vrasje e rrëmbime.

Paja, njihet për disa arratisje spektakolare nga burgjet e Italisë dhe Gjermanisë.

Ishte po kjo gjyqtare që në vitin  2018, firmosi lirimin nga burgu të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja.

Ai u dënua me 1 vit burg, për dhunë të ushtruar ndaj të dashurës Xhisiela Malokut, por gjyqtarja e liroi duke e lënë në shërbim prove.

Në shkurt të 2019 ajo liroi nga qelitë e burgut Hekuran Billën që u ekzekutua në mënyrë mafioze, mbrëmjen e të enjtes në Tiranë. Këtij të fundit, ajo i dha lirinë dhe 5 vite burg me shërbim prove.

Në vendimin e dhënë për Billën pretendohet se ai kishte kryer rreth 20 vite burg, që prej vitit 2007 kur ishte arrestuar.

Në janar të këtij viti, gjyqtarja Hoxha, firmosi lirimin e Endrit Dokles, numrit 2 të bandës së Durrësit.

Gjyqtarja fillimisht i rrëzoi burgimin e përjetshëm, dhe vendosi dënimin me 25 vite burg.

Më pas pranoi kërkesën e Dokles për lirim me kusht, dhe 5 vitet e mbetura ti shlyente me shërbim prove.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimet për gjyqtaren e Krujës e cila është treguar “bujare” me shumë persona të rrezikshëm dhe të dënuar për vepra të rënda penale.

Deri me tani, ILD nuk ka vendosur asnjë masë disiplinore për gjyqtaren Hoxha./abcnews.al