“Kemi lojtarë të rinj me perspektivë, siç kishim dhe Fluturim Domin, i cili ka perspektivë dhe është me të ardhme. Ai është dhe nga Kukësi, besoj se do të jetë e ardhmja e ekipit”, tha Hallaçi mbrëmë në emisionin Pressing në ABC News. Por kush është Fluturim Domi?
Vetëm 19 vjeç, talenti kuksian është pjesë e ekipit A të verilindorëve prej dy vitesh tashmë. I dalë nga akademia e Kukësit, Domi është një futbollist me cilësi shumë të mira driblimi dhe i shpejtë, dy aftësi që i shërbejnë shumë për rolin ku luan, si sulmues krahu.
Elozhet e zv. trajnerit Hallaçi ishin me vend, pasi Domi realisht premton shumë për të ardhmen. Si me trajnerin Shpëtim Duro, ashtu dhe me Orges Shehin, 19 vjeçari duket se bën pjesë në planet e klubit dhe disa herë i është dhënë mundësia edhe të luajë titullar, siç ishte rasti i djeshëm në takimin e Kupës së Shqipërisë përballë Apolonisë.
Domi luajti 75 minuta ndaj ekipit fierak në transfertë dhe pas ndeshjes, mori edhe elozhet e trajnerit Orges Shehi. Vetë Domi, në një intervistë sot për ABC News, tregoi më shumë për ndeshjen që luajti dje, si dhe për objektivat personalë që ka për kohën aktuale dhe për të ardhmen.
– Domi, futbollistëve të rinj në Shqipëri, nuk iu jepet shumë mundësia të tregojnë vlerat e tyre, sidomos në ekipe pretendente për dy trofe siç është Kukësi. Kur ju e shihni emrin tuaj në formacionin titullar, si ndiheni?
“Është privilegj i madh për mua që të jem pjesë e formacionit titullar te Kukësi. Të luash në një ekip të madh, sidomos kur je një futbollist i ri, normalisht që ndihesh krenar dhe i vlerësuar. Kjo gjë më motivon që të stërvitem edhe më shumë”.
– Takimet e Kupës së Shqipërisë janë një mundësi e mirë për t’iu dhënë hapësirë të rinjve, por në fazën çerekfinale iu besohet më shumë futbollistëve “big”. Fakti që ju luajtët titullar kundër Apolonisë, tregon se jeni në planet e trajnerit Shehi. Ju gëzon ky fakt?
“Po, padyshim që më gëzon fakti që trajneri beson tek unë. Unë do të vazhdoj të ul kokën dhe të punoj fort, që të mos zhgënjej trajnerin dhe besimin që më jep”.
– Duke qenë se jeni dhe vetë nga Kukësi, kemi të drejtë të mendojmë se ju dëshironi që të qëndroni tek ekipi verilindor për shumë vite. Kush janë objektivat tuaj për të ardhmen?
Kukësin nuk do e ndërroja për asnjë skuadër tjetër. Fokusim im i momentit, njëkohësisht dhe objektivi im personal, është të bëhem pjesë e rëndësishme e skuadrës. Dua të jap shumë për fanellën e Kukësit, pasi unë kam lindur në këtë qytet dhe e ndjej si obligim për të dhënë gjithmonë maksimumin”, u shpreh Domi./abcnews.al