Shano: Nuk kemi një Reformë Zgjedhore, programi i PD serioz

schedule14:32 - 12 Qershor, 2020

schedule 14:32 - 12 Qershor, 2020

Eksperti i Ekonomisë, Dritan Shano në studion e Abc News ka folur për situatën e krijuar për shkak të pandemisë, por edhe atë politike.

Shano theksoi edhe njëherë se kriza ekonomike në vend nuk është shkaktuara nga Pandemia, por nga masat dhe veprimet e qeverisë.

Ndërkaq, gjatë bisedës me Juli Xhokaxhi, ai ka komentuar edhe marrëveshjen politike për Reformën Zgjedhore. Sipas tij, ajo që u arrit nuk mund të quhet reformë sepse nuk prek në tërësi demokratizimin e zgjedhjeve.

“Unë do vazhdoj ti bie kësaj muzike, nuk është pandemia që e shkakton këtë situatë, është qeveria me vendimet e veta. Ne nuk është se patëm ndonjë reformë zgjedhore. Ne patëm një axhustim minor, të një momenti fundor të gjithë procesit të zgjedhjeve që ka të bëjë me numërimin e  zgjedhjeve, por nuk patëm një reformë që do të ndikontë në demokratizimin e zgjedhjeve. Kjo ka të bëjë me partitë politike dhe jo me qytetarët. Nuk më thotë goja ta quaj reformë. Ka kaq shumë gjëra që ziejnë, saqë njerëzit harrojnë që kanë probleme shumë të mëdha”, tha Shano.

Më tej, eksperti u ndal edhe tek situata politike, si dhe deklaratat e kryeministrit Rama se deri në vitin 2029 do të fokusohej tek biznesi i vogël. Shano thekson se Rama po tenton të dominojë edhe në 30 vitet e ardhshme në jetën e shqiptarëve. Ndërkohë, duke e krahasuar me programin ekonomik të PD, ai thotë se është shumë herë më serioz.

“Rama po tenton të dominojë edhe 30 vitet e tjerë të jetës së shqiptarëve. Po tenton ta bëjë këtë gjë me të njëjtët aktorë politikë ku bën pjesë edhe vetë. Është i njëjti grupim njerëzish, apo po tenton të dominojë 60 vjet të jetës së shqiptarëve. Kjo Shqipëri që kanë prodhuar nuk i pëlqen asnjë shqiptari. Kjo është ajo që unë vërej. Nëse duam t’i dallojmë unë mund të them me qetësi edhe me përgjegjësi, që PD një propozim shumë herë më serioz sesa çdo hartim i bukur i qeverisë, apo çdo gjetje fraze “Shqipëria 2030”. Sepse ajo që propozon PD është provuar edhe më përpara që funksionon, dhe PD ka prova që mund ta bëjë.Ajo që nxjerr Rama nga goja nuk ka asnjë lidhje me atë që bën në të vërtetë”, u shpreh ai.

Shano shton më tej se Rama nuk duhet të kishte deklaruar paralajmërimin e tij për prezencë në politikë deri në vitin 2029. Eksperti thekson se për shkak të borxhit, Rama indirekt do të jetë në jetën e shqiptarëve deri në vitin 2040 që konsiston me shlyrjen.

“Është një provokim dhe një shprehje që nuk mund të nxirret nga goja e një njeriu që pretendon se mendon dhe punon për të mirën e shqiptarëve. Ai njeri duhet të flasë deri në datën e zgjedhjeve të ardhshme . Rama ia ka dalë të kondiciojë jetën e shqiptarëve si askush më parë, deri në vitin 2040 kur mbarojnë borxhet që ai ka marrë së shlyeri. Pra edhe sikur Rama të ikë nesër, do e kemi Ramën e vogël në xhepin tonë deri në 2040-ën, edhe ata që s’kanë lindur ende. Ajo është provokim mendoj unë që del përtej çdo mandati, përtej çdo ideje. Unë jam, dakord që në këtë vend që klasa politike dhe akademikët të vendosin një set prioritetesh për zhvillimin  e shtetit shqiptar”, deklaroi Shano. /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!