Në Librazhd dhe Berat reshjet e fundit të shiut tregojnë qartë se punimet e investimeve të fundit nuk kanë qenë cilësore për sa kohë rrugët për pak minuta u përmbytën.
“O burra të gllabërojnë tenderet, të marrin sa më shumë. Para e imja, e jotja, para e popullit”, u shpreh një qytetar.
Prej reshjeve të shiut qendrat e dy prej qyteteve të vendit në Berat dhe Librazhd janë përmbytur. Uji ka vërshuar përgjatë rrugëve. Kjo situatë në Berat është e përsëritur dhe nuk u zgjidh as pas investimit të Rilindjes Urbane që në kohën e fushatë Rama e quajti Beratin “dallëndyshja” e parë.
“Tregon punën e dobët, punë pa mend, niveli u rrit sa nuk e përballonin pusetat dhe uji doli këtej”, tha një tjetër qytetar.
Ndërsa një tjetër shton se pas shiut gjendja është shumë më e rëndë.
“Gjendja këtu është bërë e rëndë pas atij shiu që ra”, shprehet ai.
Për punimet në këtë qytet fondi i rajoneve akordoi një shumë prej 1.5 milionë dollar. Qendra Beratit u inaugurua në qershor të 2017 dhe punimet zgjatën rreth 2 vjet e gjysmë.
Me një situatë po kaq problematike u përballën dhe banorët e Librazhdit që më të vjetrit një të ngjashme kujtojnë ka ndodhur në vitin 1964.
Në këtë qytet investimi kolosal prej 6.2 milionë euro përfundoi në 1 qershor të vitit të shkuar.
Por duket se dhe këtu pas 2 orësh shi qyteti duket si të ishte Venecia. Pasojat janë prezente dhe sot.
Edhe investimet e fundit duket se po kryen me nxitim në këtë qytet.
“Unë asnjëherë nuk kam pasur probleme me përmbytjet edhe kur ka rënë më shumë shi. Parku që është bërë para një jave do priste Edi Ramën dhe shtruan pjesë mbrapa ku edhe e ngritën mbi nivel. Dhe uji u mblodh në një vend dhe mu fut brenda në shtëpi”, u shpreh ai.
Parku i qytetit ky investim i ri që është ndërtuar në unazën e qyteti u përmbyt dhe vetë. Ai kap vlerën e rreth 7 milionë lekëve.
Banesa e familjes Brahja është përmbytur. Siç tregon çifti i bashkëshortëve pusetat ishin të bllokuara dhe orenditë ju janë shkatërruar.
“Puseta ekzistuese ka qenë e vendosur 30 vite më parë është bllokuar dhe i kishin hedhur beton, por ne e zhbllokuam”, u shpreh ai.
Një tjetër qytetar bën apel për shkak të problemeve që i janë shkaktuar.
“Më janë shkatërruar orenditë, dua dëmshpërblim. Të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë bërë këtë. Bëjnë rregullime pa inxhinierë dhe nuk dihet ku do shkojë uji, s’ka fare tubacione. Edhe kur binte shi dhe pati bllokime, nuk erdhi asnjë, ku janë emergjencat? As pompë nuk më sollën për të tërhequr ujin.
Edhe në zonat rurale pati pasoja të mëdha, të mbjellat janë shkatërruar./abcnews.al