Aktorja dhe regjisorja Ema Andrea inspiruar nga protesta për “Fëmijërinë e Vjedhur”, i ka bërë ftesë edhe artistëve të zhanereve të ndryshëm që të bashkohen për një projekt artistik në formë proteste.
“Jam frymëzuar nga kjo protestë dhe nuk do doja që të mbaronte me aq dhe aq më tepër që kjo kauzë të mbaronte këtu. Natyrisht për artistët, ka ardhur koha që të reagojnë dhe të mos mbetet thjesht diskutim në kafene. Unë po bëj timen i kam ftuar në mënyrë publike, pasi në mënyrë private nuk funksionon. Ndoshta nuk e besojnë që protestat ia vlejnë. Ndaj e bëra këtë ftesë, për artistë të zhanreve të ndryshme, në mënyrë publike”, u shpreh ajo.
Me tekstin e shkrimtares Palestineze Edna Mazia, artistja do të realizojë një shfaqje performancë me mesazhe sociale.
“ Unë personalisht mbi këtë temë do të realizoj një vepër artistike, në “Open Air”. Në tekstin që ofroj është një adoleshente që dhunohet fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëmoshatarët e saj, pastaj është e gjithë situata e gjyqit publik.
Por dua ta lidh me situatën në vendin tonë, me gjykimin publik që ne bëjmë me gjykatën, me deklaratat e forta , majtas – djathtas, lart- poshtë. Nëse dhunohet një grua apo fëmijë jemi të gjithë të dhunuar” , u shpreh ajo.
Andrea , beson ende te shpirti i protestës, madje ajo kërkon që arti të jetë i tillë.
“Besoj fort nëse është e vazhdueshme. Protesta është reagimi i çdo individi përtej vetes. E kuptoj se nuk mund të ndryshojmë botën, por të paktën të vihet një ekuilibër mes të mirës dhe të keqes, apo të drejtës dhe të pa drejtës”, tha më tej Andrea.
Shfaqja protestë kundër dhunës do të realizohet në hapësirën e Universitetit të Arteve./abcnews.al