Champions League do të rikthehet në gusht. Katër skuadra janë kualifikuar në çerekfinalet e këtij kompeticioni (Atletico Madrid, PSG, Atalanta, Leipzig), por duhen mësuar edhe katër të tjerat. Sfidat e mbetura për një vend në çerekfinale, do të zhvillohen më 8 gusht, muaj që do t’i dedikohet turneut më të rëndësishëm për klube.
AS raporton se UEFA e ka marrë një vendim dhe ka zgjedhur Lisbonën, kryeqytetin e Portugalisë. Pasi të luhen duelet e kthimit me datë 8 dhe 9 gusht: Juventus-Lyon, Barcelona-Napoli, Manchester City-Real Madrid dhe Bayern-Chelsea; Champions do të transferohet në Portugali.
Çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja e madhe, do të luhen në vendin luzitan, vendim që do të bëhet zyrtar më 17 qershor. Stambolli ishte zgjedhur për të pritur finalen e këtij sezoni, por në Turqi nuk kanë pranuar ta mirëpresin zhvillimin e ndeshjes pa praninë e tifozëve.
UEFA është e ndarë mes “Wanda Metropolitana” të Madridit dhe “Da Luz” të Lisbonës. Duke llogaritur që ka akoma skuadra spanjolle në garë, është zgjedhur të zhvillohet finalja e madhe në stadiumin e Benficës, ndeshje që do të luhet më datë 23 gusht.
Tani pritet vetëm zyrtarizimi i këtij vendimi. Tifozët? Në media të ndryshme qarkullon lajmi që dy skuadrat finaliste nuk do të luajnë në një stadium bosh. Flitet që 30% e kapacitetit të “Da Luz” do të mbushet nga tifozët e dy skuadrave. /abcnews.al