UEFA i jep Skënderbeut dënimin më të rëndë në histori

schedule14:16 - 30 Mars, 2018

schedule 14:16 - 30 Mars, 2018

UEFA i ka dhënë Skënderbeut dënimin më të rëndë në historinë e kupave europiane. As dhuna e tifozëve anglezë në vitin 1985, që shkaktoi dhjetëra të vdekur, nuk u ndëshkua kaq ashpër.

 

Ishte e mërkurë, data 29 maj e vitit 1985, dhe do të mbahet mend si dita më e zezë e futbollit europian.

Plot 39 tifozë humbën jetën në stadiumin “Hejsel” të Brukselit, për shkak të dhunës së huliganëve anglezë, përpara fillimit të finales së Kupës së Kampionëve, Liverpul-Juventus.

Pas kaq shumë vdekjeve dhe rreth 600 të plagosurve, vendimi I UEFA-s ishte përjashtimi me 5 vjet I klubeve anglezë nga kupat europiane, ndërsa Liverpuli u dënua me 6.

Kanë kaluar 33 vjet dhe UEFA më në fund e theu rekordin, duke dënuar me 10 vjet Skënderbeun.

Keqbërja e klubit shqiptar, akuzuar për trukim ndeshjesh, u cilësua më e rëndë sesa kriminaliteti i huliganëve që shuan 39 jetë dhe lanë në zi 39 familje.

Përjashtimi i korçarëve është, për momentin, më i rëndë edhe sesa ai që iu dha Pobedës së Maqedonisë.

Klubi maqedonas u ndëshkua me 8 vjet, dhe presidenti u përjashtua përjetë nga futbolli dhe po ashtu një lojtar.

Kjo, pasi Pobeda u gjet fajtore për trukim rezultati në ndeshjen ndaj Pjunikut të Armenisë në eleminatoret e Championsit.

Dënimet e tjera të UEFA-s kanë qenë më të lehta.

Fenerbahçe u përjashtua me 3 vjet për trukime në Superligën turke, Beshiktash u dënua me 1 vit, ndërsa Steaua me 5 vjet. /abcnews.al