Serie A do të rifillojë më 20 qershor, datë kur do të zhvillohen duelet Torino-Parma (19:00) dhe Verona-Cagliari (21:45). Shqetësimi më i madh për drejtuesit dhe klubet, është se çfarë do të ndodhë nëse disa lojtarë të një skuadre infektohen me koronavirus.
Gjatë ditë së sotme është bërë një mbledhje mes përfaqësuesve të klubeve të Serie A dhe krerëve të Ligave Profesioniste të futbollit italian. 13 klube të elitës, propozuan që këtë sezon mos të ketë rënie nga kategoria, por diçka e tillë nuk u aprovua.
Nëse kampionati do të pezullohet për rastet e reja të lojtarëve të prekur, atëherë do të aktivizohen duelet play-off dhe play-out. Kjo do të ndodhë për çdo objektiv: titullin kampion, kualifikimin në kompeticionet evropiane dhe qëndrimin në kategori.
Nëse koha nuk premton dhe nuk arrihet kjo formulë, atëherë verdiktet do të përcaktohen nga algoritmi (ndeshjet e fituara jashtë dhe brenda, si dhe numri i golave të shënuar). Në këtë rast nuk do të shpallej asnjë skuadër kampione dhe formula matematikore do të përcaktonte vetëm skuadrat që kualifikohen në Evropë dhe ata që bien një kategori më poshtë. /abcnews.al