Fundi i muajit Prill do të shënojë një takim historik mes liderëve të Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut. Zyrtarë të dy vendeve kanë njoftuar mbajtjen e samitit, në një fshat kufitar të njohur ndryshe si Shtëpia e Paqes.
Liderët e Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut do të zhvillojnë më 27 Prill takimin e tyre të parë në më shumë se një dekadë. Bisedimet mes regjimit të kim Jong un dhe presidentit Moon Jae in do të mbahen në fshatin kufitar Panmunjom, thuhet në një deklaratë të përbashkët. Njoftimi i datës së takimit erdhi një ditë pas publikimit të lajmit se Kim kishte zhvilluar një vizitë në Kinë, ku ishte takuar me presidentin Xi Jinping.
Në këtë takim, lideri koreano-verior përsëriti ofertën e tij për të eliminuar arsenalin bërthamor të gadishullit korean. Kim së fundmi deklaroi gjithashtu se dëshironte të takohej edhe me Presidentin amerikan, Donald Trump, një ofertë kjo që u pranua nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, i cili përmes administratës së tij ka lënë të kuptohet se takimi mund të zhvillohet në muajin Maj.
Por ambasadori amerikan në Kinë ka deklaruar për BBC se Trump nuk i beson zotimit të Kim për të asgjësuar arsenalin e tij. Sidoqoftë, delegatët jugorë dhe veriorë deklaruan se samiti ndërkorean do të mbahet në Shtëpinë e Paqes, siç njihet ndryshe fshati Panmunjom. Kjo do të jetë hera e tretë që liderët e dy vendeve do të takoohen që prej armëpushimit të nënshkruar në vitin 1953, për t’i dhënë fund Luftës Koreane./abcnews.al