Topi ka nisur të rrotullohet, edhe pse COVID-19 dhe autoritet shtetërore në vendin tonë janë munduar ta frenojnë në mënyra të ndryshme. Te Tirana asnjë nuk doli pozitiv me koronavirus dhe pas pak ditësh në të njëjtën situatë do ndodhet edhe Teuta, nëse do ketë guxim ndokush të sillet si ndaj bardhebluve.
Sot durrsakët do të përballen me Bylisin, shkakun pse te Tirana u bënë testet për koronavirusin. Tani bardheblutë mund të jenë shkak që të testohen edhe lojtarët e stafi i Luftëtarit. Sigurisht, askush në botën e sportit nuk do të përhapë një virus që ka vrarë mijëra njerëz anembanë botës.

Të gjithë duan thjesht të luajnë futboll, të argëtojnë tifozët që i ndjekin në TV, e sigurisht edhe të punojnë për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për të bërë një jetë normale, në një vend ku edhe futbollistët i ka joshur Kosova, e lëre më Gjermania e shtete të tjera europiane.
Sot, në program janë pesë ndeshje. Të gjitha në orën 17:00, gjithmonë nëse ndokund nuk donte këtë një dëshirë për të mos i lejuar ekipet të zbresin në fushë. Takimi me më shumë interes luhet në kryeqytet. Kukësi i vendit të dytë përballet me Partizanin dhe fitorja është detyrim, për vetë objektivat.
Nga ana tjetër, kampionët në fuqi duhet të reagojnë me çdo kusht. Ndeshje ju frika për të humbur do të jetë e madhe, kurse në Gjirokastër Tirana do të kërkojë të mundë Luftëtarin dhe të presë lajme të mira nga shtëpia e tyre, “Selman Stërmasi”.

Takime të rëndësishme për Laçin e Teutën, që duan kupat e Europës. Kurbinasit e kanë derbi, me Vllazninë e mbetur pa trajner pas largimit të Mirsad Jonuz. Pa tre titullarë, skuadra e Cungut kërkon pikët maksimale.
Në Ballsh, shumë kilometra lart Laçit, Bylisi gjithashtu kërkon të reagojë ndaj Teutës që shikimin e ka nga vendi i tretë, që mbahet nga Skënderbeu. Korçarët vetë luajnë me Flamurtarin e vendit të fundit dhe tre pikët janë detyrim e më pas, pse jo, mund të tentohet edhe vendi i dytë. / abcnews.al


