Të premten mbrëma, Këshilli Politik arriti një dakordësi në lidhe me Reformën Zgjedhore, edhe pse jashtë afatit të premtuar dhe pas shumë diskutimeve me ndërkombëtarët.
Për të folur më tepër rreth procesit të gjatë për arritjen e marrëveshjes, por edhe për rolin që patën ndërkombëtarët i ftuar në Abc News ishte Oerd Bylykbashi, përfaqësues i PD në Këshillin Politik.
I pyetur rreth orëve të shumta që u kaluan me bisedime në Ambasadën Amerikanë, Bylykbashi u shpreh se negociatat janë gjithmonë një formë ngujimi dhe në fazat finale, sipas tij, bisedimet janë akoma më shumë intensive.
Bylykbashi theksoi se ndër të gjitha rëndësi ka që opozita u sigurua që të ruhen garancitë që ekzistojnë sot në proceset zgjedhore.
I pyetur nëse drafti do të votohet në parlament, duke marrë shkas edhe nga fakti që opozita e re parlamentare ka deklaruar që nuk do ta votojnë, Bylykbashi theksoi që për votimin e Kodit Zgjedhor duhen 84 vota dhe jo 140.
Bylykbashi theksoi se mazhoranca ka treguar që kur bëhet fjalë për ligje të rëndësishme, apo çështje me interes të rëndësishëm, ata kanë votuar nga mbi 100 vetë.
Bylykbashi: “Ju e keni parasysh që për votimin e Kodit Zgjedhor duhen 84 vota dhe jo 140 apo jo? Detyrimin e ka mazhoranca që ta zgjidhë këtë histori. E ka provuar mazhoranca sot që për ligje të rëndësishme dhe të parëndësishme, apo kur ka interesa të rëndësishme votojnë 100 e ca veta. Tani, kësaj radhe është ndryshe. Po flasim për një gjë principale, rekomandimet e OSBE/ODIHR… Ndërkohë ne do të ecim që konkretisht të miratohen amendamente të cilat zbatojnë rekomandimet. Unë jam shumë kurioz të shoh kush është ai që do të jetë gati që një arritje kaq të madhe që vendos rregulla shtesë, për procesin zgjedhor të vendosë…Gjëja më e rëndësishme është zbatimi i asaj marrëveshje…” /abcnews.al/