Britania, tjetër masë shtrënguese për rusët

schedule20:03 - 28 Mars, 2018

schedule 20:03 - 28 Mars, 2018

Autoritetet në Britani kanë marrë masa të reja shtrënguese ndaj Rusisë, si përgjigje për helmimin e ish-agjentit rus në Angli. Qeveria në Londër ka vendosur rishikimin e procedurave për lëshimin e vizave për qytetarët rusë që duan të punojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Autoritetet britanike do të rishikojnë procedurat e lëshimit të vizës për shtetasit rusë, një lëvizje kjo që vjen në një kohë tensionesh me Moskën për shkak të helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal në Angli. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ministrja e Brendshme, Amber Rudd, e cila ka raportuar në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik.

Rudd ka deklaruar se u ka kërkuar institucioneve përgjegjëse rishikimin e procedurave për emigrantët rusë profesionalisht të kualifikuar, për ata që kanë aplikuar për vizë dhe janë në pritje të përgjigjes, si dhe një kontroll për vizat tashmë të lëshuara. Megjithatë, gjatë raportimit të saj, ministrja e Brendshme nuk ka përmendur data të sakta për fillimin e këtyre masave dhe as nuk ka folur për anulim të vizave apo kufizime.

Njoftimi i qeverisë së Londrës vjen pak ditë nga dëbimi i diplomatëve rusë nga Britania në shenjë proteste ndaj helmimit të ish-oficerit të shërbimeve sekrete dhe së bijës, ngjarje për të cilën akuzohet Moska. Kjo e fundit, përmes ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, ka deklaruar se dëbimi i diplomatëve është rezultat i një presioni kolosal të ushtruar nga Shtetet e Bashkuara ndaj vendeve europiane.

“Kur një apo dy diplomatëve u kërkohet të braktisin këtë apo atë vend dhe më pas na pëshpërisin në vesh për të kërkuar falje, atëherë jemi të sigurt se ky veprim është pasojë e presioneve dhe shantazheve kolosale të Uashingtonit”, ka deklaruar Lavrov./abcnews.al