VIDEO/ Mbajti djalin peng 1 vit në male, kapet 44-vjeçari bashkë me të miturin

schedule17:08 - 5 Qershor, 2020

schedule 17:08 - 5 Qershor, 2020

Një 44-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Mirditë, i cili prej një viti e gjysmë ishte shpallur në kërkim.

Ky i fundit, pasi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes kishte marrë dhe djalin e tyre të mitur, në kundërshtim me vendim e Gjykatës.

Prej më shumë se një viti ai mbante djalin peng, ndërsa nuk e lejonte të takonte të emën.

Në pranga ka rënë Alban Buraku. 44-vjeçari ishte shpallur në kërkim  pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë,  i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest më burg”, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.

Për ngjarjen ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili kërkon q ëtë shërbejë ky lajm pozitiv si një thirrje tjetër për më shumë ndjeshmëri shoqërore kundër dhunës.

“Sot përfundoi një kalvar i rëndë i një fëmije, i cili mbahej peng në male nga…babai i tij, që prej nëntorit të vitit 2018.

Nga sot ky fëmijë mund t’i rikthehet jetës dhe nëna e tij e munduar mund të çlirohet nga një makth i tmerrshëm. Le të shërbejë ky lajm pozitiv si një thirrje tjetër për më shumë ndjeshmëri shoqërore kundër dhunës.

Le të shërbejë ky moment edhe si një thirrje për më shumë burrëri e përgjegjësi, nga ata burra prindër, të cilët duhet të kuptojnë se vendi i fëmijëve është në familje dhe në shkollë. Falënderime për këtë operacion të suksesshëm të Policisë në Mirditë!”, shkruan Lleshaj.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor “Kurbneshi”, për kapjen e një personi të shpallur në kërkim.

Policia lokalizon dhe vë në pranga 44-vjeçarin, i cili prej një viti e gjysmë ishte shpallur në kërkim për disa vepra penale.

Gjendet dhe fëmija i mitur 8-vjeçar, të cilin e kishte marrë i ati 44-vjeçar, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për momentin po trajtohet me psikolog në DVP Lezhë.

Strukturat policore të DVP Lezhë dhe shërbimet e Komisariatit Mirditë, pas shumë kontrollesh të zhvilluara për gati një vit e gjysmë, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative bënë të lokalizimin e shtetasit të shpallur në kërkim.

Mbi bazën e këtyre informacioneve u organizua dhe u finalizua operacioni policor “Kurbneshi”,  në kuadër të të cilit  pas rreth 72 orësh kërkime në fshat dhe në pyllin e Kurbneshit, u bë e mundur gjetja dhe prangosja e shtetasit A. B., i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë, me vendimin nr. 4, datë 05.01.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest më burg”, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gGjykatës” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.

Ky shtetas, pasi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes L. B., kishte marrë dhe djalin e tyre të mitur, në kundërshtim me vendim e Gjykatës.

Prej nëntorit të vitit 2018, Policia e Qarkut Lezhë ka vazhduar punën në mënyrë të pandërprerë për lokalizimin, kapjen dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të shtetasit A. B. Përveç veprimeve procedurale, forcat policore, që nga data kur është shpallur në kërkim, në mënyrë të pandërprerë kanë vlerësuar me prioritet çdo informacion që jepej për vendndodhjen e tij, duke ushtruar kontrolle, por pa arritur të gjendej personi i kërkuar.

Materialet shtesë në ngarkim të shtetasit A. B., do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!