Komisioni i Venecias “rrëzon” paketën Anti-Shpifje: E pazbatueshme, duhet rishikim

schedule17:04 - 5 Qershor, 2020

schedule 17:04 - 5 Qershor, 2020

Komisioni i Venecias i sugjeron qeverisë shqiptare të rishikojë paketën anti-shpifje. Në draft-opinionin e saj paraprak të siguruar nga Abc News argumentohet se ndryshimet e propozuara nuk janë reflektuar plotësisht.

Venecia këshillon autoritetet shqiptare që t’i përgjigjen kritikave dhe të përmirësojnë ligjet. Ajo kërkon që në përmbajtjet e legjislacionit të hartohen në bazë të praktikës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Në draft theksohet gjithashtu se projekt-ndryshimet nuk janë gati për miratim në formën e tyre aktuale, pasi janë të paqarta dhe ka të ngjarë të shtypin diskutimin e lirë.

“Komisioni i Venecias konsideron se projekt-ndryshimet nuk janë gati për miratim në formën e tyre aktuale. Ligji vuan nga paqartësia dhe ka të ngjarë të ketë një “efekt të ftohtë” duke shtypur diskutimin e lirë dhe fjalimin politik”,

Venecia thotë se Autoritetit të Medias Audiovizive i jepen fuqi administrative për median “online”, prandaj kërkohet të rishikohet formula e përzgjedhje së AMA-s dhe Komitetit të Ankesave. Komisioni i Venecias kritikon edhe gjobat e larta në rast të shkeljeve të ligjit nga mediat “online”.

 “Jashtëzakonisht problematike për lirinë e mediave në kontekstin shqiptar është natyra e ashpër dhe me efekte të mëdha negative e gjobave.

Gjobat jashtëzakonisht të larta paraqesin një kërcënim me efekt pothuajse aq të ftohtë sa burgimi, megjithëse më shumë tinëzarë mund të shihet një mënyrë indirekte për të ushtruar presion në media”, thuhet në draft-opinion.

Komisioni i Venecias do t’i dorëzojë autoriteteve shqiptare opinionin përfundimtar për Paketën-Antishpifje në datat 18-19 qershor.

Venecia vendosi të shtyjë me dy muaj draft opinionet për dy kërkesa të ardhura nga Shqipëria, atë të ligjit Anti- Shpifje dhe të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Ky vendim u mor për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. /abcnews.al