Barcelona fillon negociatat për rinovimin me Lionel Messin. Babai i lojtarit, Jorge Messi, dhe presidenti Josep Maria Bartomeu do të takohen javën e ardhshme për të filluar bisedimet për nënshkrimin e kontratës së re të Leos. Aktualja skadon në vitin 2021 dhe në kampin katalanas duan të arrijnë një marrëveshje të re.
Për disa javë, tifozët e Interit, të nxitur nga fjalët e Massimo Moratti, ëndërruan ta shohin gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë” në Milano me fanellën zikaltër. Gjithsesi e ardhmja e Leo Messit pritet të jetë me ngjyrat “blaugrana”. Mediat spanjolle kanë raportuar se klauzola që do të lejonte që argjentinasi të prishte kontratën me klubin ende nuk ka skaduar.
Ajo mbetet e vlefshme deri më 10 qershor. Sidoqoftë, Messi nuk ka ndërmend ta përdorë, sepse ashtu siç ai vetë e ka konfirmuar në intervistat më të fundit, është i lumtur në klub dhe në qytetin ku ka shkruar historinë.
Tashmë në moshën 33-vjeçare, Messi mund të rinovojë për herë të fundit kontratën e tij me Barcelonën. Kapiteni i katalanasve është një besnik i ngjyrave “blaugrana” dhe ka theksuar vazhdimisht se dëshiron ta përfundojë karrierën aty ku edhe e ka nisur si profesionist. /abcnews.al