Kryeministri Edi Rama ka deklaruar mbrëmjen e sotme se nuk do të presin pafund opozitën për miratimin e Reformës Zgjedhore.
Rama tha në “Opinion” se nëse reforma duhet bërë me ligj maxhoranca e bën në parlament dhe nuk i ka asnjë borxh opozitës që ka zgjedhur të dalë nga parlamenti.
“Po të jetë për ta bërë me ligj dhe me zakon ne shkojmë në parlament se dhe këta që janë jashtë nuk kanë gojë të flasin sepse nuk i borxh asnjëri, kanë bërë zgjedhjen e vet dhe dolën vetë nga parlamenti. por pikërisht se jemi në një moment të rëndësishëm dhe se unë dua t’ju provoj të gjithëve, që bëjeni si e do, si e duan këta, hajde thojeni dhe ne jemi dakord.
Opozita nuk vendos dot që të na lërë ne me ligjin e vjetër. Kjo që ju quani opozitë nuk na thotë neve ju rrini me të vjetrën, se për ca dolën në rrugë këta. Ne jemi dakord me atë që u tha, topi është në fushën e tyre tani nëse Basha e merr e fut poshtë kanatjeres dhe i hipën përsipër ne nuk do presim pafund. Do presim ta mendojnë dhe të shohim ku do ta çojnë topin”tha Rama.
Duke folur për mekanizimin se si do të kryhet procesi, kryeministri tha tashmë PD do të ketë në KQZ nënkryetarin që do të ndjekë procesin, ndonëse më herët ishte shprehur pesimist që koha do të mjaftonte për ta përfunduar këtë proces.
“Nga pikëpamja e gjithë përgatitjes së procesit, e tenderit, kontratës së implementimit është KQZ që do ta bëjë. Dhe PD është e mirëpritur që të gjejë në vend, një person, le të gjejë me të politizuarin që ekziston, nënkryetar me mandat strikt për ta ndjekur procesin nga A tek ZH, që nesër mos të kemi avazin e vjetër u sabotua këtu u sabotua atje, tenderi këtej. Ky do të jetë një zv.kryetar i KQZ që ka këtë mandat bashkë me një ekspert të fusësh vënë në dispozicion nga partnerët . U bë teknologjia malet më të larta shkojmë me teknologji, nuk u bë teknologjia nuk dëgjojmë më bërr bërr se si u sabotua”, tha Rama.
Rama deklaroi se mazhoranca ka bërë të gjitha lëshimet e arsyeshme në këtë proces duke theksuar në mënyrë të veçantë identifikimin biometrik të aplikuar në të gjithë vendin.
“Topi është në fushën e PD dhe për sa na takon ne e kemi mbyllur këtë proces. Kemi bërë të gjitha koncesionet e arsyeshme. Le të themi që nëse do ti qëndronim strikt kornizës së rekomandimeve ne nuk duhet ta diskutonim përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje sepse ODIHR nuk e ka rekomanduar. Për sa na takon, ne kemi bërë një studim me dëshirën për të adresuar këtë problem që alibia e teknologjisë të binte.
Nuk është diçka e pabëshme për të bërë identifikimin biometrik. Votimi elektronik është përjashtuar kategorikisht. Një identifikim offline. Kjo është një gjë që kërkon kohë, unë jam pesimist. Kërkon sepse që nëse një vend shkon drejt teknologjisë të mos shkojë menjëherë por me faza. Ne donim që zgjedhjet në 2019 të shërbenin për të testuar sistemin. Problemi sot është koha”, tha Rama./abcnews.al