Vrasja e Floyd/ Përplasje midis protestuesve dhe policisë në Greqi

schedule10:25 - 4 Qershor, 2020

schedule 10:25 - 4 Qershor, 2020

Një përplasje ka shpërthyer midis policisë dhe protestuesve në një protestë të mbajtur në Athinë, kryeqytetin e Greqisë, kundër vrasjes së afro-amerikanit George Floyd në Minnesota të SHBA-së si pasojë e dhunës policore.

 

Me thirrje të grupeve të ndryshme të majta, rreth 3.000 njerëz u mblodhën në Sheshin Sintagma, ku gjendet edhe ndërtesa e parlamentit, duke marshuar drejt Ambasadës së SHBA-së në Athinë dhe duke thirrur parulla anti-amerikane dhe kundër dhunës policore.

 

Në fund të protestës, ku u shfaqën edhe pankarta me mbishkrime si “Poshtë Amerika” dhe “Amerikë, je e padëshiruar në Greqi”, disa grupe me maska sulmuan me molotov dhe gurë ekipet e ndërhyrjes  së shpejtë të cilët kishin marrë masa të rrepta të sigurisë para ambasadës.

Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës ndaj protestuesve. Shtatë protestues janë arrestuar gjatë incidenteve.

Afro-amerikani George Floyd humbi jetën nga asfiksimi javën e kaluar pasi një polic i bardhë i vuri gjurin në qafë për disa minuta gjatë arrestimit, përkundër përgjërimeve dhe fjalëve të tij të fundit “Nuk mund të marrë frymë”, që u bënë slogan i protestave mbarëkombëtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!