Paga e luftës, Rama: 30 mijë aplikime pas apelit të qeverisë, në fund lista do të jetë publike

schedule21:00 - 3 Qershor, 2020

schedule 21:00 - 3 Qershor, 2020

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se deri më tani ka shkuar në 30 mijë numri i personave që kanë marrë pagën e luftës prej 40 mijë lekësh, pas apelit të qeverisë, pasi nuk ishte bërë aplikimi nga punëdhënësi.

Rama thekson se tashmë mund të jenë edhe 20 mijë punonjës të tjerë që presin të marrin këtë shumë, ndërsa shifra totale pritet të shkojë në 250 mijë.

Ai thotë se në fund lista e pagesave që do marrin pagë lufte, do të jetë publike, duke paralajmëruar se afati për aplikim do të jetë deri në mesnatën e 5 qershorit.

“Lajm i mirë: po shkon në 30 mijë numri i pagave 40 mijë lek të derdhura në llogaritë e punonjësve që nuk e kishin marrë mbështetjen financiare të qeverisë, si pasojë e mosaplikimit nga ana e punëdhënësve

Faleminderit punëdhënësve që reaguan pozitivisht ndaj apelit tonë!

Sipas llogarive të drejtorisë së përgjithshme të tatimeve janë edhe afro 20 mijë të tjerë që duhet të paguajmë, prandaj u kujtoj punëdhënësve që s’kanë aplikuar ende se afati për ta skadon të premten, 5 qershor, në mesnatë

Kush nuk do të bëjë aplikimin për punonjësit e vet do të paguajë gjobë, ndërsa të gjithë punonjësit e lënë pa mbështetjen e punëdhënësit, nuk do të jenë vetëm! Sepse ne do t’u derdhim menjëherë 40 mijë lekët në llogarinë e tyre nga e hëna e ardhshme

Shifra totale e të gjithë të asistuarve me tre Pagat e Luftës apo Pagën 40 mijë Lek, parashikojmë të shkojë në afro 250 mijë persona

*Në fund e gjithë lista e pagesave për këtë thuajse çerek milionë motra e vëllezër, do të jetë publike, që mos kemi llafe kur i thonë fjalës”, shkruan Rama./abcnews.al