Negociatat për Reformën Zgjedhore janë duke u zhvilluar sot në rezidencën e ambasadores amerikane gjatë ditës së sotme duke u larguar nga Pallati i Kongreseve.
Pas disa orësh negociata, Damian Gjiknuri është larguar nga rezidenca për t’u konsultuar me kryeministrin Rama.
Siç raporton gazetarja Esiona Konomi për abcnews.al, pak minuta pas Gjiknurit, nga tavolina janë larguar edhe Petrit Vasili me Oerd Bylykbashin, të cilët gjithashtu do të konsultohen me partitë e tyre.
Pas disa ditësh negociata, dy janë pikat ku palët ndahen. E para lidhet me identifikimin biometrik. Opozita kërkon aplikimin e tij në të gjithë vendin, kurse maxhoranca aplikimin në vetëm 10% sipas udhëzimeve të OSBE-ODIHR.
Pika e dytë lidhet me depolitizimin e administratës zgjedhore, por këtu duket se palët janë më afër krahasuar me të parën.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, ambasadorja amerikane deklaroi se palët duhet të heqin dorë nga kushtet që dalin jashtë sugjerimeve të OSBE-ODIHR, ndërsa kërkoi arritjen e një marrëveshjeje sa më parë.
Ky është edhe shkaku se përse takimet po mbahen tek rezidenca e saj dhe jo më tek Pallati i Kongreseve. /abcnews.al