Pas masave drastike kundër Rusisë, Perëndimi duket se po përgatitet të veprojë në mënyrë agresive edhe kundër Kinës. Presidenti Donald Trump ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin Macron dhe Merkel, për të përcaktuar bashkarisht praktikat tregtare ndaj gjigantit aziatik.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zhvilluar këtë të martë biseda të veçanta telefonike me kancelaren Merkel dhe homologun Macron, në lidhje me praktikat tregtare të Perëndimit me Kinën. Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, Trump dhe Merkel diskutuan se si të bashkojnë forcat për të frenuar praktikat ekonomike të Pekinit.
Presidenti amerikan ka kritikuar vazhdimisht praktikat tregtare të superfuqisë aziatike dhe disa herë i ka kërkuar qeverisë kineze që të reduktojë përpjesëtimin e zhdrejtë me Shtetet e Bashkuara. Nga ana e saj, Merkel ftoi Trump për dialog në lidhje me politikat tregtare mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara.
Kancelarja kërkoi mbajtjen e një procesi bisedimesh mes BE-së dhe Amerikës, për të gjetur një zgjidhje duke u bazuar në rregullat e sistemit të tregtisë ndërkombëtare. Ndërsa në bisedën me Macron, Trump bëri thirrje për intensifikimin e bashkëpunimit me Turqinë me qëllim zgjidhjen e krizës në Siri.
Pika për të cilën tre liderët folën njëzëri ishte vendimi i së hënës i qeverive europiane për dëbimin e diplomatëve rusë. Dëbimi i tyre ishte një përgjigje ndaj Kremlinit për sulmin me agjent nervor ndaj ish-oficerit të shërbimeve sekrete ruse në Angli, ngjarje për të cilën fajësohet Moska./abcnews.al