Izair Emini ishte i pari lojtar i IPKO Superligës së Kosovës që u infektua me COVID-19. Sulmuesi i Dritës, i cili ka shënuar 5 gola këtë sezon, ka lënë pas krahëve situatën e vështirë dhe e ka mposhtur koronavirusin.
34-vjeçari nga Tetova do t’i nënshtrohet sot testit të radhës. Emini shpreson që të marrë përgjigjen që pret për të udhëtuar më pas drejt tokës dardane dhe për të nisur stërvitjen me Dritën, teksa tregon gjendjen e tij për infOSport.mk.
“Unë jam OK, shpresoj të dalë negativ testi i radhës dhe t’i bashkohem skuadrës sa më shpejt. Edhe nëse i bashkohem skuadrës, nuk besoj të jem në formën optimale, pasi kam humbur shumë. Jam munduar të lëviz në shtëpi, në oborrin tim, megjithatë nuk mjafton. Mendoj se kam rënë nga fiziku që kisha“, thekson Emini. /abcnews.al